Partia Socialiste mbledh paraditen e sotme Asamblenë Kombëtare, e cila pritet të zgjedhë edhe organet drejtuese të kësaj partie.
Mbledhja do të nisë në orën 11:00, ndërsa pritet që Kryeministri Edi Rama të japë disa mesazhe lidhur me objektivat që kjo forcë politike synon të arrijë, ndërsa pas disa muajsh vendi shkon në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Asambleja Kombëtare e PS ka 350 anëtarë, të cilët do të votojnë për anëtarët e Kryesisë, por edhe piramidën drejtuese të kësaj partie.
Një nga pikat e paralajmëruara ka të bëjë me përcaktimin e drejtuesve politikë të PS-së në Qarqe, të cilët do të organizojnë dhe drejtojnë punën sa i takon fushatës zgjedhore në qarkun që do të caktohen.
Dhe po kështu në këtë mbledhje Asambleje theksi pritet të vihet në ri-energjizimin e PS-së, projekti që pritet të kthehet në kryefjalën e socialistëve, ndoshta duke zëvendësuar atë të Rilindjes. Në Kongresin e socialistëve, Kryeministri ka vënë theksin pikërisht te ri-energjizimi, madje nuk nguroi që të shprehte hapur mbështetjen e tij, ndaj të rinjve.
Kryeministri Edi Rama në disa deklarata publike e ka vënë theksin në ndërmarrjen e disa reformave thelbësore që do të mundësojnë anëtarësimin e vendit në BE në 2030. Dhe po kështu është ndalur gjatë në arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Lidhur me mbledhjen e Asamblesë së PS, janë paralajmëruar në media disa skenarë, përfshi këtu edhe paraqitjen e një projekti të ri nga Kryeministri Edi Rama, pikërisht në kuadrin e ri-energjizimit.
Dhe po kështu janë paralajmëruar skenarë nga ai i ndryshimeve në përbërjen e drejtuesve politikë në qarqe dhe deri në nivelet qeverisëse.
Në fillim të shtatorit, Edi Rama mblodhi kabinetin qeveritar, në një nga ato proceset që konsiderohen si analiza e punës dhe përcaktimi i objektivave.
Gjithsesi gjithçka do të zbardhet me fjalën që do të mbahet nga Kreu i PS-së, ndërsa ajo që dihet është se motorët e fushatës duket se do të ndizen, pa humbur kohë, ndërsa socialistët do të synojnë mandatin e 4-t rradhazi qeverisës.