Asambleja Parlamentare e NATO-s i dha dritën jeshile rekomandimit për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar të këtij organizmi.
Shumica e vendeve votuan pro, vetëm një votë ishte kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin që po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Deputetët që e përfaqësojnë Kosovën atje, Driton Hyseni dhe Xhavit Halit dhe që janë të pranishëm në punimet e Asamblesë, ishin shprehur optimistë pavarësisht përpjekjeve të Beogradit për ta bllokuar këtë hap.
Përmes një letre, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asociuar. Për këtë arsye, anëtaret e tij u takuan me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit i dorëzuan letrën e shkruar nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabic.
Asambleja Parlamentare e NATO-s, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes aleancës dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare, por nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.