Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka reaguar pas asfiksimit të nxënësve të shkollës së mesme, paraditen e sotme në Shupenzë.

Sipas njoftimit për shtyp, bëhet me dije se numri i nxënësve të asfiksuar ka shkuar në 27, 15 prej të cilëve po marin mjekimin e duhur në Bulqizë, ndërsa 12 të tjerë janë transportuar në spitalin e Peshkopisë.

DEKLARATA

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për shërbimin mjekësor në spitalet e Bulqizës dhe të Peshkopisë të 27 nxënësve, 15 prej të cilëve po marrin trajtimin e duhur mjekësor në spitalin e Bulqizës dhe 12 po transportohen aktualisht në spitalin e Peshkopisë. Qendra Shëndetësore Shupenzë ka dhënë ndihmën e parë për të gjithë nxënësit dhe po vazhdon të japë shërbim në vijim të paraqitjes së rasteve të reja.

Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu po ndjek nga afër situatën në komunikim të vazhdueshëm me strukturat shëndetësore në terren dhe ka ngritur Task-Forcën e Emergjencës me mjek të specializuar për këtë ngjarje.

Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion Njësinë e Helikopterëve në rast se do të jetë e nevojshme transporti për mjekim më të specializuar në Tiranë".