Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit se kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka një ashensor privat në pallatin e tij, ku ka shtuar edhe një kat, lejen e të cilit e ka firmosur vetë. Në një reagim në Twitter, Rama ironizon Bashën se nuk mund të ndajë ashensorin me të tjerë, pasi e zë gjumi në zbritje, dhe e merr në ngjitje. Rama i përmend kryetarit të PD-së, se e ka kthyer ashensorin e pallatit njësoj si Partinë Demokratike "privat".

"Artist ç'janë këta që ankohen pse ke zaptuar ashensorin e pallatit? Po si mund të ngjitesh e të zbresësh ti me të tjerë, kur në zbritje s'të ka dalë ende gjumi, ndërsa në ngjitje të ka marrë krejt gjumi! Ti shyqyr e bëre PD si ashensorin, jo më të lirosh ashensorin. Ta harrojnë", shkruan Rama. 

Reagimi i Ramës për Bashën vjen pas përgjigjies që Bashkia Tiranë i dha kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për akuzat e këtij të fundit për projektin e Unazës së Madhe.

Basha akuzoi Ramën dhe Veliajn se kanë ndryshuar planin Urbanistik të Tiranës për t'i dhënë një leje biznesmenit të akuzuar për trafik droge, Edmond Bego. Në përgjigjen e Bashkisë, akuzohej Basha se ia dhënë leje vetes për të shtuar një kat te pallati ku banon në afërsi të liqenit, si edhe se ka zaptuar ashensorin në këtë pallat, duke e kthyer në një ashensor privat.