11 qershor 2015 – Kryeministri Edi Rama është distancuar, më në fund, nga angazhimi i deputetit Tom Doshi, në fushatën zgjedhore në Qarkun e Shkodrës, ku nga njëra ana është shfaqur në krah të kandidatit të PS-së për Bashkinë e Vaut të Dejës, por nga ana tjetër është pozicionuar kundër Keti Bazhdarit, duke krijuar një situatë të turbullt në PS-në e Shkodrës. Pas kërkesës së deputetëve të PS-së së Qarkut të Shkodrës, kryeministri Edi Rama, ka kërkuar largimin e Tom Doshit nga fushata në Shkodër, në funksion të konsolidimit të raporteve me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Aktivizimi i Doshit në Shkodër, me kërkesë të vetë kandidatit për Vaun e Dejës dhe me miratimin ndoshta në heshtje të Ramës, u lexua si një provokim që PS-ja po i bënte LSI-së.
Por, kryeministri Rama ka qartësuar rolin e tij në këtë histori. Shefi i qeverisë dhe i mazhorancës, i shoqëruar me deputetët e PS së Shkodrës, ka zbarkuar në Vaun e Dejës, ku ka zhvilluar një takim të fshehtë me kandidatin e PS për Vaun e Dejës dhe me përfaqësues të strukturave të partisë në këtë bashki. Në fokus të takimit ka qenë Tom Doshi. Gjatë takimit, kryeministri Edi Rama, në prani të deputetëve, mësohet se i ka thënë Gjokë Lleshit se është propozuar si kandidat për Bashkinë e Vaut të Dejës nga Partia Socialiste dhe jo nga Tom Doshi. Sipas burimeve, në këtë takim, Rama ka kërkuar që deputeti Tom Doshi të mbahet sa më larg të jetë e mundur nga fushata në Qarkun e Shkodrës. Rama ka pohuar se Doshi nuk ka qëllim të ndihmojë, por të dëmtojë koalicionin e majtë në Shkodër, duke kujtuar se LSI është pjesë e rëndësishme e koalicionit. Nga ana tjetër, kandidati i PS për Vaun e Dejës, Gjokë Lleshi ka pohuar se nuk e ka ftuar ai deputetin Tom Doshi që të angazhohet në fushatë. Lleshi ka theksuar se Doshi është ofruar dhe aktivizuar vetë në fushatë, duket ritheksuar se nuk e ka ftuar askush. Por, sipas burimeve, Rama ka qenë i prerë, teksa ka kërkuar që Doshi të mos duket më në fushatë, të paktën në emër të PS-së.
/Gazeta Sot/





