Mbajtja e konventave të demokratëve dhe republikanëve dhe fjalimet respektive nxorrën fitues Barak Obamën. Presidenti aktual jo vetëm fitoi pikë në renditje ndaj rivalit të tij, por edhe fondet e mbledhura për fushatën gjatë muajit gusht janë më të mëdha sesa ato të Mitt Romney-t. Mbështetësit e Obamës rreth 317 mijë kanë dhuruar mesatarisht rreth 250 dollarë në mbështetje të fushatës së presidentit.
Obama mblodhi në gusht 114 milion dollarë kundrejt 111 milion të Romney. Kjo ishte hera e parë gjatë kësaj fushate që presidenti aktual kalon shifrën prej 100 milion dollarë të mbledhura gjatë një muaji. Obama kryeson në sondazhe me 3-4 pikë para rivalit të tij republikan. Në 9 nga 10 shtetet që ku beteja është shumë e ashpër Obama është në krye, përfshi këtu Floridën dhe Ohion.
Për t’u zgjedhur president nevojiten 270 vota të kolegjit elektoral, ndërkohë që Obama tani është në kuotën 225 ndërsa Romney është ndalur tek 191 vota. Për të ç’dramatizuar situatën, stafi i ish guvernatorit të Massachusetts doli me një deklaratë ku u bëhej apel republikanëve dhe elektoratit që të mos i besonin sondazheve, sepse në fund do të jetë Romney ai që do të fitojë.
Kur kanë mbetur dhe 50 ditë nga 6 nëntori, gara elektorale ka nisur të ndizet dhe të bëhet më e fortë.