BRUKSEL, 17 qershor 2013 – Bashkimi Europian tërheq vëmendjen e politikës shqiptare mbi rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare për integrimin e vendit dhe funksionimin normal të KQZ-së, një problem ende i pazgjidhur. Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian dhe Štefan Füle, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë bënë një deklaratë të përbashkët ku theksojnë se zgjedhjet e përgjithshme përbëjnë një provë të rëndësishme për vendin dhe ftojnë krerët politikë të zgjidhin ngërçin që ka mbërthyer KQZ-në dh eta kthejnë atë në funksionale.
“Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri përbëjnë një provë vendimtare për institucionet demokratike të vendit dhe përparimin e tij drejt Bashkimit Evropian.
Ne vazhdojmë t’i monitorojmë nga afër përgatitjet e zgjedhjeve duke theksuar nevojën që ato të mbahen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane dhe inkurajojmë që gjetjet e Raportit të Ndërmjetëm të Zyrës së Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR të respektohen në mënyrën e duhur. Në këtë kontekst, është po ashtu thelbësore që udhëheqësit politikë të gjejnë një rrugë, të pranueshme për të gjithë, që ta bëjnë plotësisht fuksional Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ne theksojmë se është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë dhe të gjitha partive të përforcojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të krijojnë kushtet në mënyrë që rezultatet e zgjedhjeve të pranohen nga të gjithë.”
/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





