BRUKSEL, 15 prill 2013- Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë/Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Catherine Ashton, do të vizitojë nesër Tiranën.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Bashkimit Europian, ku thuhet se shefja e diplomacisë europiane do të nisë një vizitë në Ballkanin Perëndimor. 

Fillimisht Ashton do të vizitojë Malin e Zi, më pas Shqipërinë për ta përfunduar vizitën në Maqedoni. “Udhëtoj në Ballkanin Perëndimor për të përforcuar angazhimin e BE-së për perspektivën europiane të këtij rajoni. Do të inkurajoj liderët në rajon për të vazhduar procesin e reformave dhe për të promovuar marrëdhëniet e mira fqinjësore”, – deklaroi Ashton. 

Zëdhënësja e Ashton, Koçijançiç zbardhi axhendën e Baroneshës në Tiranë. Mësohet se ajo do të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, kryeministrin Berisha dhe shefin e opozitës Edi Rama. Pas takimeve do të ketë edhe një deklaratë për mediat. 

Sipas zëdhënëses Koçijançiç, në fokus të vizitës së Baroneshës Ashton në Ballkan është perspektiva evropiane e rajonit si dhe bashkëpunimi rajonal mes vendeve.