Mesfushori i Teutës, Asion Daja është i lumtur që do të ketë një ndeshje mes durrsakëve dhe Partizanit nga e cila do të dalë me shumë siguri edhe fituesi i titullit kampion.

Ai deklaroi se ajo ndeshje do të tregonte se kush e meritonte trofeun më mirë.

“E kemi vlerësuar Kastriotin për pozicionimin në renditje, ka marrë pikë me ekipe të fortë. Në pozicionim ku jemi na duhen pikët në çdo ndeshje. Vlerësimi maksimal na lehtësoi gjërat në fushë, por i vështirësuam pas golit se u krijua presioni. Jemi të kënaqur për tre pikët.

Nuk e mbyllëm ndeshjen? Ndoshta lojtarët ishin pak më altruistë. Kur e mendon 2-0 ndeshjen e quan të mbaruar. Por nganjëherë këto ndeshjet dalin të hidhura në fund.

Disa lojtarë të rinj e kanë fituar si eksperiencë tashmë. Futbolli është i paparashikueshëm, po nuk shënove edhe mund të pësosh. Ata kishin 2-3 raste, që mund të ndryshonin gjërat..

Ndeshja me Partizanin? Çdo gjë është në rregull, nuk ka presion të tepruar, thjesht janë të ndërgjegjshëm lojtarët për pozicionin ku janë dhe përgatitin çdo ndeshje me qetësi. Kjo ndeshje do të tregojë cili ekip e meriton vendin e parë dhe të dalë kampion.

Më bëhet qejfi që është kjo ndeshje, se nëse Partizani është më i mirë se ne, i japim dorën dhe ta fitojë Partizani. Por kam besim te Teuta, e para se luajmë në fushën tonë dhe e dyta se e mendoj që e meritojmë ne të dalim kampionë këtë vit”, tha Daja.