Agjencia e Statistikave ka publikuar pagat mesatare në Kosovë gjatë vitit 2023, përfshi pagat mesatare në sektorët privatë dhe publikë: Pagat mesatare në Kosovë 2023: €570 Bruto/ €506 Neto. Pagat mesatare sektor privat: €515 Bruto/ €459 Neto. Pagat mesatare sektor publik: €713 Bruto/ €630 Neto.
Agjencia e Statistikave ka publikuar “Nivelin e Pagave në Kosovë” për vitin 2023.
Ky publikim përmban të dhëna për pagën mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në Sektorin Publik (Administrata), Ndërmarrjet Publike dhe Sektorin Privat në Kosovë.
Në vitin 2023, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 570 euro, derisa në vitin 2022 ishin 521 euro. Pra, kishte një rritje prej 49 eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2023 ishte 506 euro, krahasuar me vitin 2022 që ishte 446 euro. Pra, një rritje prej 60 eurosh.
Kurse, paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2023 ishte 515 euro, derisa në vitin 2022 ishte 473 euro. Pra, kishte një rritje prej 42 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto ishte 459 euro, krahasuar me vitin 2022 e cila ishte 401 euro. Pra, një rritje prej 58 eurosh.
Agjencia e Statistikave ka treguar se tek sektori publik vërehet një rritje e konsiderueshme e pagës për rreth 18 % krahasuar me vitin paraprak, dhe kjo rritje ka ardhur si rezultat i hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik (Ligji nr. 08/L-19) nga muaji janar 2023.
Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2020 ishte 624 euro, derisa, në vitin 2023 ishte 713 euro, duke u rritur për 89 euro, ose 14.2%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 552 Euro, sa ishte në vitin 2020, u rrit në 630 euro në vitin 2023. Një rritje prej 78 eurosh, ose 14.1%.
Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2020 ishte 769 euro, derisa në vitin 2023 ishte 789 euro. Një rritje prej 20 Eurosh ose 2.6%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 680 euro, sa ishte në vitin 2020, u rrit në 691 euro në vitin 2023. Një rritje prej 11 Eurosh, ose 1.6%.
Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.
Paga mesatare bruto në vitin 2023, sipas aktiviteteve ekonomike, më a larta ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (1039 euro); dhe Informim dhe komunikimi (974 euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (345 euro).
Paga mesatare neto në vitin 2023, sipas aktiviteteve ekonomike, ka të njëjtën renditje si më poshtë: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (870 Euro); Informim dhe komunikim (850 Euro); Akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (312 Euro)
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka pohuar se gjatë qeverisjes së tyre paga mesatare bruto është rritur për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat.
Sipas Muratit, rritja në 3 vitet e fundit është rritur për 104 euro, përderisa në qeverisjet e kaluara për 7 vite ishte rritur vetëm 94 euro.
“ASK dje ka publikuar pagën mesatare për vitin 2023 në Kosovë. Grafikoni më poshtë paraqet pagën mesatare bruto nëpër vite, përfshirë edhe vitin 2023, të publikuar nga ASK. Ajo çfarë vërehet është se: Paga mesatare bruto, për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat, në 3 vitet e fundit është rritur për 104 euro, përderisa në qeverisjet e kaluara për 7 vite ishte rritur vetëm 94 euro”, ka theksuar Murati.
Ministri shkruan më tej se “Rritja më e madhe e pagës mesatare ka ndodhur në vitet 2023 me 9.4% dhe 2022 me 7.6%, pra dy vitet e Qeverisë Kurti. Kjo demanton gjithë propagandën që kemi dëgjuar lart e poshtë nëpër studio televizive nga opozita, duke thënë se s’ka pasur rritje të pagave”. Tutje, ministri ka shtuar se miti se me qeveritë e kaluara rriteshin pagat për të gjithë, bie përfundimisht.
“Përderisa është e vërtetë se në vite të caktuara kishte pasur rritje të pagave në sektorin publik me vendime në kohë fushate zgjedhore, të dhënat e dëshmojnë se kjo rritje ishte bërë në kurriz të sektorit privat. Kjo gjë shihet qartë në vitin 2014, kur pagat në sektorin publik ishin rritur me vendim qeveritar gjatë fushatës, mirëpo mesatarja në tërë ekonominë, përfshirë sektorin publik dhe privat, ishte rritur vetëm 4.4%”.