Herën e fundit që Italia fitoi titullin kontinen tal, Roberto Mançini ishte një fëmijë: viti 1968. Italia në atë kohë kishte trajner Valkarexhin, por “Robi Manço” e ka shansin që të rikthejë trofeun e rëndësishëm. Megjithatë, ai nuk është nga ata tipa që kënaqet me lugën bosh. “Nëse kemi arritur në këtë pikë, meritat nuk janë të miat, por të djemve të cilët kanë besuar në këtë rrugëtim që kemi bërë. Megjithatë, ende nuk ka përfunduar. Kemi një punë për të mbyllur. Duhet të rikuperojmë forcat që na kanë mbetur për të luajtur finalen e madhe. Këta djem kanë zemër dhe duhet të fitojmë titullin. Unë besoja te këta futbollistë që nga dita e parë. U kemi dhuruar disa mbrëmje të bukura italianëve dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë fillimisht Mançini.
RIVALI- Më tej ai foli për Spanjën dhe tha se ishte një mbrëmje shumë delikate. “Spanja është një ekip i jashtëzakonshëm dhe ata janë mjeshtrat e zotërimit të topit. Dua t’i bëj komplimente trajnerit Luis Enrike për ndeshjen që zhvilloi. Ishin spektakolarë.
Na vendosën në vështirësi, por pavarësisht kësaj ne kishim raste për të shënuar dhe për ta mbyllur ndeshjen më shpejt”, theksoi trajneri i kombëtares italiane. Ai nuk ka shumë kohë për të festuar, por thotë se duhet parë nga e ardhmja. “Duhet të mendojmë menjëherë për finalen. Kemi vetëm 4 ditë kohë për t’u rikuperuar dhe pastaj të shohim çfarë do të ndodhë”, sqaroi tekniku italian.
FRIKA- Sigurisht që në një mbrëmje të tillë të shkon mendja edhe për më të keqen, por strategu italian ishte i bindur dhe kishte besim te futbollistët e tij. “Ideja është që në një ndeshje të tillë do të vuanim. Ata kanë lojtarë shumë cilësorë. Ne kishim vështirësi në qarkullimin e topit, por për lojën që po bënim mendova se pas rezultatit 1-0 mund të shënonim golin e dytë për t’i kapur në kundërsulm. Askush nuk besonte tek Italia që mund të arrinte kaq larg”, tha ai.
MENTALITETI- Italiani foli edhe për ndryshimin e stilit. “Të gjithë duan të fitojnë dhe lojtarët donin diçka ndryshe. Donin të argëtoheshin në fushë dhe gjërat e vështira janë më të bukura, por duhet të presim ende… Asgjë nuk ka përfunduar dhe tani na pret një tjetër ndeshje vendimtare dhe shumë e rëndësishme. Nuk ka rëndësi cili është rivali, ne thjesht do të bëjmë lojën tonë dhe do të shkojmë me siguri e besim në këtë ndeshje”, përfundoi trajneri italian.





