Mesfushori i kombëtares, Kristjan Asllani po e shijon në maksimumu aventurën te Interi.

22-vjeçari ka rrëfyer për median italiane VTrend, se në një nga momentet e tij më të veçanta me fanellën zikaltr deri më tani ishte goli në “San Siro” në fitoren 2-1 kundër Genoas.

“Të ndjeje entuziazmin e 75 mijë tifozëve dhe të shihje mbështetjen e shokëve të skuadrës që ishin në fushë, por edhe atyre në pankinë, ishte diçka e pabesueshme. Nuk kisha përjetuar një emocion të tillë, ndonëse e kisha menduar shpesh gjatë këtyre dy viteve. Pasi dërgova topin në rrjetë, nuk kuptova më asgjë. Ishte emocion i papërshkrueshëm”, tha Asllani.

Ndërkombëtari shqiptar zbuloi se interist është bërë nga xhaxhai i tij dhe të luaj për këtë fanell është një ëndërr e realizuar.

“Xhaxhai im më ka bërë tifoz me Interin dhe nuk mund ta besoja kur dëgjova për interesimin e tyre për mua. Thashë menjëherë po, nuk u mendova dy herë. Ishte e pabesueshme, pasi po realizoja një ëndërr. Sapo u transferova në Milano, e ndjeva se duhej të merrja me vete edhe familjen time dhe kështu bëra. Jam shumë i lidhur me vëllanë tim, që atëherë ishte 11-vjeçar”, ka rrëfyer Aslllani.

Çalhanoğlu është ai që e këshillon më tepër në fushë, por jashtë fushe miku më i mirë për Asllanin është Fratessi.

“Me Davide kaloj më shumë kohë. Dalim shpesh bashkë dhe bëjmë shumë shaka edhe në dhomat e zhveshjes. Megjithatë të gjithë kemi një raport të shkëlqyer me njëri-tjetrin. Unë zakonisht nuk dal shumë, pasi jam tip familjar, por nëse jam jashtë, jam me Fratessin”, u shpreh Asllani, i cili në këtë sezon është aktivizuar në 25 ndeshje dhe ka kontribuar me 1 gol dhe dy asiste në të gjitha kompeticionet.