*Kapiti: Duhen forcuar kontrollet, për sigurinë e anijeve!

(Në foto, Luan Mema i lidhur në anijen e marrë peng)

7 ditë nga zhdukja e marrja peng e dy marinarëve shqiptarë në anijen peshkatore “Çelepia 2”, fati i tyre ende nuk dihet. Kalimi i ditëve dhe orëve e përkeqëson situatën, ndërsa familjarët e 36-vjeçarit Luan Mema dhe të 55-vjeçarit Dhimitër Malja qëndrojnë në panik.

Kreu i Sindikatës së Peshkimit në Durrës, Klodjan Kapiti, deklaroi se çështja i ka kaluar autoriteteve në Egjipt, që kanë nisur kontrollet për anijen peshkatore shqiptare, por deri tani nuk asnjë gjurmë të anijes apo edhe të marinarëve të saj.

Kapiti thotë se në sektorin e peshkimit në Durrës janë punësuar mbi 30 marinarë egjiptianë, dhe pengmarrja që iu bë peshkatores “Çelepia 2” nga ana e marinarit egjiptian Adel Sallam, 30 vjeç, mund të kthehet në kauzë për marinarët e tjerë.

“Janë të punësuar mbi 30 egjiptianë nga peshkatoret durrsake, nëse dikujt i shkrepet të marrë anijen peng, nuk dihet çfarë mund të ndodhë dhe nuk mund ta parandalojmë. Duhen rritur kontrollet ndaj tyre”.