Të zhdukur prej 2 muajsh, ende nuk ka asnjë gjurmë të Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit.
Mësohet se policia pas disa javësh kërkime, ka ndërprerë operacionin për gjetjen e trupave të Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit, të zhdukur prej 6 Prillit, në Sarandë.
Ky fakt është konfirmuar nga familjarët e dy të zhdukurve të cilët kanë zhvilluar dy herë takime me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, për t’i kërkuar të zbulojë se çfarë ka ndodhur me Theodhorin dhe Sulovarin.
Por ndonëse kërkimet janë ndërprerë, hetimet vijojnë në forma të tjera. Verifikime po kryen për gjetjen e personave që fshihen pas rrëmbimit e më pas groposjes së 45-vjeçarit Sulovari dhe 52-vjeçarit Theodhori.
Dy të zhdukurit janë emra të njohur për policinë, pasi në të shkuarën kanë patur precedent në fushën e narkotikëve. Përfshirja e tyre në aktivitete kriminale dyshohet të jetë arsyeja e zhdukjes.