Bonusi i bebeve me gjasa nuk do të jepet më për ato familje që jetojnë jashtë territorit shqiptar.

Është ky propozimi i Qeverisë që po shqyrtohet këtë të hënë nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, i cili është përfshirë në debate mes opozitës dhe mazhorancës për ndryshimin e ligjit që përcakton se kjo e drejtë të jetë vetëm për rastin kur prindërit jetojnë në Shqipëri.

Projektiligji

Me argumentin se emigrantët përfitojnë nga ligjet e vendeve ku jetojnë, shtohet se nëse ky propozim nuk miratohet atëherë ata marrin përfitime të dyfishta.

Nga ana tjetër thuhet se Qëllimi i nismës është që të mbështesë familjet, të cilët jetojnë dhe kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve. 

Sipas të dhënave zyrtare nga viti 2019 dhe deri në vitin 2021 kanë përfituar bonusin 117 942 fëmijë të lindur brenda ose jashtë vendit. Në vitin 2022 janë mbështetur 42 761 fëmijë të porsalindur nga të cilët 18 257 çeqe janë për fëmijët e lindur jashtë vendit me një shumë prej rreth 3 miliardë lekë, pra rreth 40 për qind e shumës ka kaluar për prindërit që nuk jetojnë në Shqipëri.

Ligji parashikon që për foshnjen e parë jepet çeku 40 000 lekë, për të dytin 80 000  dhe në masën 120 000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim. Për prindërit që sjellin në jetë binjakë, masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 lekë për secilën foshnjë dhe për trenjakët 120 000 lekë për secilën foshnjë.