Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi rekursin e Ervin Salianjit për pezullimin e dënimit me një vit burg.

Meta tha se nuk u surprizua nga vendimi, teksa zbuloi se ka takuar ditën e djeshme në burgun e Fierit, Salianjin.

“Asnjë surprizë nga togat e zeza të Edi Ramës në sistemin e Ramaformës. Unë dje me kërkesën time, vizitova deputetin Salianji në burgun e Fierit dhe shpreh bindjen time se kjo burgosje politike tregon tmerrin e regjimit nga fuqia denoncuese e opozitës së vërtetë, e sidomos nga fakti që i është bërë lidhjeve më të larta të narkoqeverisë me trafikun e drogës, është dhe një tmerr për zgjedhjet që vijnë sepse mendojnë se do të trembin deputetët, gazetarët e pa blerë, në denoncimet e ardhshme”, tha Meta.

Meta komentoi dhe mbërritjen e emigrantëve të parë nga Afrika në Shëngjin, ku tha se e gjithë Shqipëria duhet të ngrihet në protesta.

“E gjithë Shqipëria duhet të ngrihet në protesta në mënyrë që ku të mos jetë një vend konglomerat emigrantësh të huaj ku të mos flitet më as gjuha shqipe”, tha kreu i PL-së.