Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë të premten se Bashkimi Evropian (BE) “nuk ka kompetencë” për t’i propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, megjithëse autoritetet kosovare e kanë pranuar një të tillë tashmë nën ndërmjetësimin e bllokut.
“Mendoj se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë t’i propozojë Asociacion Kosovës. Është gabim të mendosh se është kompetencë e BE-së të na caktojë neve [draft-status për Asociacionin], kurse kompetencë e jona të jetë ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mendoj se është kompetencë e BE-së t’i propozojë draft Kosovës dhe Kosova të qëndrojë gatitur dhe ta dërgojë draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedurë”, tha Konjufca.
Konjufca po i përgjigjej pyetjeve rreth deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tha një ditë më parë se e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës ta kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese për një draft-statut të hartuar vitin e kaluar prej Perëndimit për themelimin e Asociacionit.
“Do të ekzistojë një përgjigje nëse [dokumenti] është kushtetues apo jo, do të dihet a ka kompetenca ekzekutive apo jo, dhe mendojmë se vetëm Gjykata mund ta japë atë vlerësim. Diçka e tillë do të krijojë një dinamikë ndryshe dhe do të reflektojë përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur obligimet që ka”, tha Hovenier të enjten gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët perëndimorë i paraqitën Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për formimin e Asociacionit, i cili u hartua nga BE-ja dhe të cilin palët thanë se e pranojnë.
Në lidhje me këtë dokument, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte siguruar asokohe se është shkruar “me kujdes dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Kosova dhe Serbia së pari arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas edhe më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Të dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011./ REL