Banorët e zonës së Astirit në Tiranë janë ngritur sërish ditën e sotme në protestë për banesat që do të shemben nga projekti i Unazës së Re, duke bllokuar rrugën.

Protestës i është bashkuar edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili është shprehur se opozita do të jetë në krah të banorëve për t’i mbështetur, ndërsa ka sulmuar kreprokuroren Arta Marku, duke thënë se po u fshihet kallëzimeve të bëra nga banorët e kësaj zone.

“Unë do ta anuloja këtë tender korruptiv, do të hetoja dhe do të çoja para drejtësisë dhe në burg, të gjithë ata që janë përfshirë në këtë skemë të madhe korrupsioni. Këtu po tregohet sesi po shkelet kushtetuta, dhe sesi shteti ka rënë”, u shpreh Basha.

“Prokurorja Arta Marku është fshehur, është futur poshtë tavolinës dhe ka frikë të nxjerrë fytyrën për kallëzimin që kanë bërë qytetarët, Qeveria po sillet si bandë, Edi Rama po mendon si ta çojë deri në fund këtë vjedhje dhe jo si të ndihmojë banorët”, tha më tej Basha në një prononcim për mediat.