Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi në një intervistë për Dosja.al ka folur për arsyet e krijimit të partisë së re, krizën politike dhe zgjedhjet e 30 qershorit. Në këtë rrëfim ndryshe Patozi ka folur edhe për marrëdhënien me ish-kryeministrin Sali Berisha, deputeten Rudina Hajdari dhe për kandidatët e Bindjes të cilët u tërhoqën nga gara. Kreu i Bindjes iu ka dhënë edhe një mesazh të gjithë krikëve të tij, për akuzat se mbështetet nga kryeministri Edi Rama. Ai u shpreh i vendosur se vendi do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe sipas tij, më 1 korrik shqiptarët do të flasin mbi të gjitha për Bindjen Demokratike.
INVERVISTA:
-Zoti Patozi ju drejtoni një parti të re të sapokrijuar. Si ju lindi ideja për këtë parti të re? Pse pikërisht u themelua para zgjedhjeve dhe pasi deputetët e opozitës lanë mandatet?
Ne gjykuam që sistemi politik, kundër të cilit ne jemi, pra sistemi i kalbur politik ishte në pikën e vet më të dobët. Ne gjykuam që në një situatë marrëzie politike ku ndodhen të dyja palët, ne vendosëm të futemi si pykë në mes, duke bërë diferencën mes te dy palëve, pra më njërën palë që kishte djegur mandatet pa asnjë arsye të qenësishme dhe palës tjetër që megjithëse gjysmën e fushës e kishte bosh, mendonte që Shqipëria është fanar ndriçues në buzë të Adriatikut. Ne hymë për t’i dhënë qytetarëve shqiptare një ofertë te re, të ndryshme nga dinozaurët politikë që i kanë shkaktuar kriza të mëdha vendit.
– Meqë jemi te krijimi i partisë. U fol se deputetja Rudina Hajdari do ishte pjese e partisë Bindja Demokratike. Pse u tërhoq ajo në minutat e fundit para se ju të dilnit publikisht me një parti të re? Marrëdhënia që keni tani me Hajdarin?
Fakti që ju thoni u përfol do të thotë që nuk folëm ne, nuk foli as zonja Hajdari, as dikush tjetër i partisë Bindja Demokratike, folën të tjerët. Ne kemi një komunikim shumë të mirë, kemi respekt për zonjën Hajdari dhe e kemi vlerësuar qëndrimin e saj në parlament dhe jashtë parlamentit, por sigurisht kjo është një parti që i ka dyert e hapura për zonjën Hajdari edhe për këdo tjetër që ka një vizion politik si ne.
E keni diskutuar me Hajdarin për këtë ide, për të qenë edhe ajo pjesë e partisë?
Ne kemi diskutuar edhe për këtë ide dhe Hajdari ka të gjithë të drejtën të marrë kohën e nevojshme për t’ju bashkuar ose jo kësaj partie. Theksoj se marrëdhënia me Hajdarin është shumë e mirë, shumë miqësore dhe jemi ne komunikim të vazhdueshëm.
– Për partinë tuaj të re ka dalë kundër edhe ish-kryeministri Sali Berisha, madje ju akuzon se mbështeteni nga Rama. Sipas Berishës, mazhoranca ju ka ndihmuar të regjistroheshit në KQZ. Si i komentoni këto deklarata? A keni pasur ndonjë komunikim me Berishën tani pas krijimit të partisë?
Unë nuk i di që ti ketë thënë këto. Unë di që zoti Berisha ka mbajtur një qëndrim, po themi të heshtur ndaj nismës tonë politike dhe aktivitetit të saj në kaq pak kohë. Në rast se këto deklarata janë të vërteta është mendimi i tij. Nuk ka pasur ndonjë takim me zotin Berisha, s’ka pasur ndonjë arsye që të ketë ndonjë takim. Berisha është i fokusuar te projekti i Lulzim Bashës, ne jemi të fokusuar te projekti jonë politik.
– Tre prej kandidateve tuaj për kryetar bashkie kanë dhënë dorëheqjen pasi janë shprehur se nuk pranojnë të jenë fasadë, madje një prej tyre Bledar Sinella ju ka akuzuar se e keni vendosur si kandidat pa u konsultuar mirë me të? Si i komentoni këto deklarata?
Kandidatët tanë kanë qenë një trysni të hatashme. Ata s’kanë thënë këtë gjë në reagimet e tyre. Një njeri që është nën presion mund të thotë gjithçka. Unë nuk jam nën presion dhe duke mos qenë nën presion them të vërtetën. Kandidatët tanë janë agresuar nga të dy palët, nga partitë e vjetra, por më shumë nga PD-ja e cila daljen tonë e ka parë si kërcënim s’e mos humb opozita monopolizimin e saj, por ky nuk është problemi jonë. Kandidatët janë kërcënuar nga të dy palët dhe disa prej tyre nuk patën këllqe për të qëndruar më tej, kjo nuk na bën as më të dobët dhe as më pak të vendosur. Për Bledar Sinelllën, zotëria nuk pati këllqe të qëndrojë dhe kaq mund të them për atë. Ka ardhur dy herë për të takuar para se të jepte dorëheqjen, por kjo nuk më intereson më.
-A ka pasur një proces përzgjedhjeje të kandidateve tuaj. Si u zgjodhën ata?
Kemi Leonard Ollin në Korçë, Valbona Mezinin ne Vlorë, këta dhe shumë të tjerë janë njerëz që kanë marrë përgjegjësi që ditën e parë, të krijimit të kësaj force politike dhe për të garuar në zgjedhje. Sigurisht që ka pasur një përzgjedhje nga ana jonë aq sa mund të bëhej për një kohë të shkurtër dhe besoj se kemi gjetur më të mirët për aq mundësi sa kishim.
-Ish-kandidati për Bashkinë Lezhë, Salvador Kaçaj u shfaq në foto me Berishën, para se të jepte dorëheqjen nga gara për Lezhën. A mendoni se ka ndikuar Berisha në këtë vendim të tij, pra të ketë influencuar?
Kjo është një pyetje për ata të dy, çfarë lidhje kam unë me këtë? Unë kam marrë vetëm një mesazh nga zoti Kaçaj dhe më shprehte mirënjohjen për besimin që i kam dhënë. Deklarata e tij në media ishte krejtësisht tjetër.
-Ju e quajtët provokim kërkesën e PD dhe LSI për të pasur komisionerë në zgjedhjet e 30 qershorit. A nuk e përcakton qartë Kodi Zgjedhor se u takon pikërisht këtyre dy partive të marrin komisionerët e opozitës në KZAZ dhe më pas në KQV?
Po ta lexosh kodin me syzet e PD-së dhe LSI-së i takosh kështu. Por po ta lexosh kodin si njeri i paanshëm apo si një jurist me përvojë thotë krejt të kundërtën. Pra nuk mundet kurrsesi që një parti që nuk është parlamentare,sepse ka humbur mandatet pas i dogji vetë ato, të ketë mundësi që të mbikqyrë zgjedhjet kur aq më tepër nuk merr vetë pjesë.
Do të kërkonit ju te keni komisionerë në zgjedhje?
Patjetër, ne do të kërkojmë si çdo parti tjetër që merr pjesë në zgjedhje. Ne duhet të kemi një raport të drejtë përballë qeverisë, pra qeveria duhet të ketë aq prani sa duhet të ketë edhe opozita. Pra ajo opozitë që merr pjesë ne zgjedhje.
– Sipas leximit që i bëni ju Kodit Zgjedhor, kush do t’i marrë komisionerët e opozitës në komisionet zonale dhe ato të qendrave të votimit?
Janë forcat opozitare që marrin pjesë në zgjedhje, duke i përfshirë edhe ne. Ne mund të jemi më të rëndësishmit këtu sepse ne e kemi treguar me pjesëmarrje në kandidim. Kemi shumë kandidatë, pra kemi 25 kandidatë në bashkitë e vendit dhe janë të vetmet bashki ku qeveria nuk kandidon e vetme.
Pse nuk kandiduat në të 61 bashkitë?
Nuk kandiduam në të 61 bashkitë pasi nuk kishim kohë. Një parti e re sado që u krijua u përpoq, ne nuk patën mundësi që të kandidojmë në të gjitha bashkitë. Kjo në fakt është edhe një përgjigje për këta kritikët që na akuzojnë si bateristë të qeverisë. Në rast të kundërt do ta kishim shumë të lehtë të kishim jo 61 por 63 kandidatë për kryetar bashkie.
– Ervin Salianji ka hedhur akuza ndaj kandidatit tuaj të Ersekës dhe thotë se është kapur me drogë dhe se ngjarja është mbajtur e fshehtë. Si qëndron e vërteta?
Këtë nuk e kam dëgjuar por nuk mund të jap një përgjigje për çdokënd që hedh një gur mbi Bindjen Demokratike.
-Si e shikoni rezultatin e 30 qershorit? Sa bashki do të fitojë BD dhe sa PS?
Unë i urrej politikanët që parashikojë rezultatet dhe që i besojnë sondazheve. Partia jonë do të marrë maksimumin që mund të marrë, në këtë vrap në ecje e sipër, që nga krijimi i saj deri në zgjedhjet e 30 qershorit. Di të them këtë gjë që Shqipëria më 1 korrik do të flasë mbi të gjitha për partin tonë.
– A do ta dëmtojë apo do ta shërojë sistemin politik 30 qershori?
Padyshim që vendi do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk besoj se zgjedhjet thellojnë krizën, zgjedhjet në çdo vend kanë qenë zgjidhje për krizën. Nuk është sfida jonë të mbahen apo nuk do mbahen zgjedhjet, kjo është një krizë e qeverisë dhe nuk na intereson. Ne do të marrim pjesë nëse do të ketë zgjedhje. Nëse nuk do të ketë zgjedhje do të bjerë qeveria, pasi nuk garanton dot një nga funksionet e veta bazike.
Nëse ndodhin trazira më 30 qershor?
Atij që i bën trazirat, atij do i bie përgjegjësia, padyshim. Edhe qeverisë në rast se do të jetë e përfshirë, do ketë përgjegjësi. Ne s’kemi lidhje me këtë. Ne jemi konform ligjit dhe do të vazhdojmë linjën tonë.
-Si i komentoni protestat e fundit të opozitës? Sipas jush çfarë qëndrimi duhet të mbajë Basha në këtë ngërç politik?
Ata janë futur në një rreth vicioz dhe janë të detyruar që të luajnë me protesta se s’kanë rrugë tjetër, por kjo është një vendimi tyre. Unë e kam thënë edhe më përpara dhe nuk dua që të tingëllojë si subjektive por nëse do të isha në vend të tij do të kisha shpëtuar Partinë Demokratike, të cilës i detyrohet, duke sakrifikuar veten, pasi duke mos hyrë në zgjedhje do të sakrifikojë edhe veten edhe PD-në.
Po thoni që Basha duhet të ulet në tavolinë me Ramën, të negociojë?
Jo unë, të isha unë po thoja që po të isha në vendon tij do të kisha dhënë dorëheqjen do të kisha lënë partinë pastaj në dorë të dikujt tjetër që do ta kishte çuar në zgjedhje sepse vetëm kështu mund të shpëtojnë PD-ja.
Po thoni të dialogojë me Ramën?
S’ka pse të dialogojë me Ramën, thjesht të futet në zgjedhje.
-Cili është një nga figurat e vjetra te PD-se qe ju këshilloi që të themelonit një parti?
Pikësëpari, unë nuk jam vetëm por ne jemi një grup njerëzish që jemi identifikuar me Bindjen Demokratike. Nuk pasur nevojë për këshilltarë. Ne kemi qenë të bindur që në 2017-n që kur bëmë lëvizjen brenda PD-së, që si politikanë me eksperiencë që ishim kishim dy rrugë ose do të mblidheshim në shtëpi dhe do të shkruanim kujtime ose do të bënim një parti që të ishte ndryshe nga partia e Lulzim Bashës.