Nga Bujar QESJA
Nuk e mendova, se do ta realizoja kësisoj një profil të plotë mbi Astrit Zhordën. Ishte një plan i hershëm, por ende i paplotësuar. Në mënyrë të papritur, lexoj një shënim që më kishte dërguar juristi i njohur, djali i shkodranit zotni Bilal Parruca- Sokoli, për të më thënë, se pedagogu ynë i fakultetit të Shkencave Politiko Juridike Astrit Zhorda preku 90-të vite jetë.
I miri i përjetshëm, zotnia i rrallë i Tiranës, një figurë e heshur por vezulluese e fisnikërisë tiranase, fatmirësisht me jetëgjatësi të bekuar në ditë të madhe. Isha 11-të vjeçar, kur ia vrojtova elegancën dhe fizikun e derdhur si në broz, këtij senatori të qytetarisë. Ahere luante me Durrësin në futboll. Dhe pas 10-të vitesh, do të ndeshesha përsëri me këtë kalorës të sporteve.
Por tashmë qeshë me staturë të formuar. Mbaj mend se në vitin 1973, në kampionatin e futbollit të Universitetit të Tiranës zhvilluar ndërmjet tetë fakulteteve, fakulteti ynë me trajner Astrit Zhordën doli kampion.
Disa studentë, shokë në atë kohë disi të largët 53 vjeçare që luanin. Janë Dhimitër Trola, Sokol Parruca, Bujar Qesja, Lulëzim Guma, Zamir Poda, Vladimir Dhimitri dhe nuk dua të ngutem për të vazhduar më tej. Eh Astrit Zhorda, sa të gëzuar kemi qenë atë ditë! Aq sa shumë u dëshpërova, kur u largove nga Durrësi, kur isha vetëm 11-të vjeçar.
Dhe tani në profilin e pazakontë për ty, “Fisnikëria i Tiranës” dhe i paharruari i Durrësit Astriti ynë i mirë, Zhorda ynë i pazakontë.
Ëndërrat e një fëmijë në rrugën Fortuzi
Në dimrin e vitit 1936, Tirana ishte ende një qytet që zgjohej me zhurmën e karrocave mbi kalldrëm dhe me thirrjet e tregtarëve në mëngjes. Rruga “Fortuzi” nuk ishte vetëm një adresë, por botë më vete. Shtëpi të ulëta me oborre të mbushura me hardhi, porta druri që kërcisnin lehtë në agim, gra që pastronin pragun me ujë e fshesë thupra, burra që përshëndeteshin me dorën në zemër. Ajri kishte aromë dheu të lagur dhe gështenjash të pjekura.
Në ato kthina, ku topi i leckave rrotullohej mes gurëve dhe fëmijët mësonin të dallonin drejtësinë dhe korrektësinë, lindi Astrit Zhorda. Djalë me sy që shikonin më larg se horizonti i rrugicave të ngushta, me hapa të matur dhe qetësi të rrallë në lëvizje.
Tirana e asaj kohe ishte e vogël, por për Astritin, ishte e madhe në mundësi dhe ëndrrat e një fëmije. Rrugicat e “Fortuzit” dhe sheshet e vogla, u bënë arena e parë e kuriozitetit, lojërave dhe pasionit për të zbuluar botën.
Në zemrën e këtij qyteti, Astriti ëndërronte për dijen, për sportin dhe për jetën që të ishte sa më e gëzueshme.
Në atë Tiranë të vogël, çdo oborr, çdo derë e portë druri, çdo rrugëzë ishte shkollë karakteri. E mori mësimin e parë pikërisht aty. Të ecësh me nder, të ëndërrosh me pasion dhe të punosh me seriozitet.
U lind më 24 shkurt 1936, në një Shqipëri që kërkonte dritë. Dhe ai u bë pikërisht dritë në sportin shqiptar. Një dritë e qetë, e matur, por e palëkundur. U lind në Tiranën, që ende merrte frymë me ritmin e oborreve të vjetra dhe ku ky djalë, do të bëhej standard karakteri.
Astrit Zhorda, do të rritej me atë etikë, me atë burrëri, me atë qetësi aristokratike që vetëm Tirana e vjetër dinte ta falte. Nuk erdhi për të qenë thjeshtë futbollist.
Erdhi për të qenë formë. Formë loje. Formë mendimi. Formë qytetarie. Zhorda ishte nga ata djem, që nuk flisnin shumë, por mendonin gjatë. Që nuk grindeshin për të rënë në sy, por përpiqeshin të bëheshin më të mirë çdo ditë. Në sytë e tij, kishte një qetësi të rrallë dhe vendosmëri që nuk tundej lehtë.
Jeta e tij, nuk do të ishte biografi me data e poste. Do të kthehej në një udhëtim, që niste nga bankat e Politeknikumit, kalonte nëpër baltën e kanaleve vaditëse, për të shpërthyer në fushat e blerta të Kavajës, Durrësit e Tiranës. Forcohet në auditorë universiteti dhe kristalizohet në zyrat, ku kërkohej drejtësi sportive.
“Fortuzi” i dha Astritit frymën e qytetarisë. Oborret i mësuan heshtjen e punës. Rrugicat i mësuan qëndrueshmërinë. Në atë Tiranë të viteve 30-të, mes një qyteti që po merrte formë, u formua edhe ai, me ëndrra të mëdha në një horizont të vogël, me hapa të vegjël, që do ta çonin drejt së nesërmes. Sepse Tirana e lindjes, nuk ishte formalisht vend. Ishte burim. Dhe ai mbeti gjithë jetën, bir i denjë i asaj rruge, i atij kalldrëmi, i asaj fryme.
Politeknikumi dhe pasioni për topin
Në Politeknikumin “7 Nëntori” zgjodhi hidroteknikën, formim teknik që kërkonte disiplinë, matematikë dhe përpikmëri. Ujërat, kanalet ujitëse, matjet, vizatimet, një botë e saktësisë dhe disiplinës. Aty u formua si mjeshtër i mendimit. Kjo shkollë e bëri edhe më të saktë. Në bankat e saj, njohu dy figura që më pas do të afirmoheshin në jetën profesionale, Faredin Hoxhën dhe Eduart Sulstarovën. Ishin djem të një brezi, që Shqipëria i donte të fortë dhe të ndershëm. Jo për diplomë, por për përgjegjësi.
Politeknikumi nuk ishte vetëm matematikë, projekte dhe vizore. Ishte një shkollë e karakterit. Mësimi i korrektësisë, përgjegjësisë dhe pasionit për profesionin. U bë pjesë e të rinjve të Tiranës, ku talenti i tij u dallua nga trajneri i famshëm Xhavit Demneri. Ishte futbollist pasionant, jo vetëm zotërues i teknikës, por edhe me kulturë loje. Në ato vite lidhi miqësi të fortë me shkodranin e madh të futbollit, Mehdi Bushati, miqësi që do ta shoqëronte gjatë.
Nga çizmet me baltë, tek topi me këmbë
Emërimi si gjeometër në ndërmarrjen e bonifikimit në Kavajë, e çoi djaloshin tiranas në punimet e kanalit vaditës Peqin–Kavajë. Kjo nuk ishte vetëm detyrë shtetërore, por kthesë jete. Ishte koha kur Shqipëria ndërtonte tokën dhe djemtë si Astriti ndërtonin njëkohësisht edhe sportin. Ditën me çizme me baltë, me metër e fletore matjesh në dorë, pasdite me fanellë dhe top në këmbë.
Kjo periudhë e bëri pjesë të “Besës” së Kavajë. Nuk ishte vetëm futbollist i transferuar për shkak të punës, por edhe element që sillte kulturë loje, disiplinë dhe elegancë në fushë. Kavaja e vlerësoi si profesionist dhe si njeri. Kavaja i mësoi disiplinën, fusha e blertë strategjinë.
Kështu fitorja nuk ishte vetëm e ekipit, por edhe e filozofisë që Astriti mbante, rregull, korrektësi dhe vëmëndje.
Në Kavajë fitoi respekt. Jo vetëm si futbollist, por si njeri që fliste pak dhe vlente shumë.
“Partizani” dhe “Dinamo” forca dhe pjekuria
Shërbimi ushtarak e çoi në radhët e “Partizanit”, falë mbështetjes së drejtuesit legjendar Besim Fagu. Astriti u përball me nivelin më të lartë të futbollit shqiptar. Nuk ishte më fëmijë i Rrugës “Fortuzi”, por lojtar që duhej të mbante skuadrën. Nën drejtimin e trajnerit Rexhep Spahiu, u rrit si futbollist i kompletuar. Nuk ishte lojtar i zhurmshëm. Ishte i saktë. I matur. I besueshëm.
Një teknik edhe në fushë, që ndërtonte aksione me logjikë dhe i mbronte me mençuri. Ishte kohë kur fanella peshonte. Nuk u step. U rrit. Pastaj kaloi tek “Dinamo”, ku luajti pranë mikut të tij Mehdi Bushati, nën drejtimin e Zihni Gjinalit dhe Skënder Jarecit. Ishin vite ku loja kërkonte forcë, por edhe mendje. I zotëronte të dyja, por mbi të gjitha kishte disiplinë.
Në këto vite, Astriti konsolidoi talentin e tij, pjekurinë taktike dhe autoritetin në fushë. Nuk kërkonte duartrokitje. Donte rendin e lojës, kontrollin e skuadrës dhe respektin e bashkëlojtarëve.
Durrësi qyteti që e deshi si të vetin
Astrit Zhorda mbërriti në Durrës si një lojtar i ri, por i formuar nga disiplinat e Politeknikumit, nga korrektësia e “Partizanit” dhe taktikat e “Dinamos”. “Lokomotiva” e Durrësit e fillimit të viteve 60-të, e priti si një aleat të çmuar. Luajti krahas Teli Cikos, Petraq Ikonomit, Muharrem Kadiut, Pask Bardhit, Zydi Dajës, Omir Topçiut, Mustafa Saraçit, Shyqyri Hasës, Orest Gramit, Naim Saraçit, Niko Bespallës, Met Myshkut, Feti Golashit, Bardhyl Kalasë etj. Çdo lojë ishte një histori, çdo stërvitje një mësim. Astriti spikaste jo vetëm për teknikën e tij, por edhe për qetësinë, drejtësinë dhe mentalitetin e fituesit.
Fushat e Durrësit, nuk ishin thjeshtë hapësira sportive. Ishin arenë karakteresh, ku lojtarët mësonin të kuptonin njëri tjetrin, të bashkëpunonin dhe të përballonin vështirësitë së bashku. Astriti nuk ishte ai që kërkonte vëmendje, por e drejtonte skuadrën me shembull. Shokët e tij, duke përfshirë Met Myshkun, Feti Golashin dhe Petraq Ikonomin, shpesh e përmendnin si “shokun që gjithmonë tregon rrugën e drejtë”, jo vetëm në lojë, por edhe jashtë fushës.
Një element i veçantë i këtyre viteve, ishte miqësia me basketbollistin e njohur Niko Hercek. Ata ndanin stërvitjet, shakatë dhe përkushtimin ndaj sportit. Astriti i mësonte të rinjtë jo vetëm të vraponin, por të mendonin, të planifikonin dhe të ruanin korrektësinë në çdo vendim. Në Durrës, nuk ishte vetëm futbollist, por nxitje e së mirës, së bukurës.
Memoriet e kësaj periudhe, nuk janë vetëm ndeshjet e fituara, apo golat e shënuar. Janë dialogjet me shokët e skuadrës, strategjitë që ndihmonin ekipin të përballonte kundërshtarët më të fortë dhe respekti që Astriti fitoi përmes korrektësisë dhe pasionit. Çdo nxënës i tij më vonë, e përmendte si një shembull që frymëzonte për të qenë i ndershëm, i disiplinuar dhe i palëkundur.
Në këtë kapitull të jetës, Durrësi nuk ishte vetëm vendi ku luajti futboll. U bë vendi ku formoi shokë të përjetshëm, ku bëri miqësi të palëkundura dhe ku tregoi se integriteti dhe korrektësia, janë vlerat që bëjnë një njeri të paharrueshëm. “Lokomotiva” nuk ishte vetëm një skuadër, por shkolla ku Astriti kombinonte pasionin, talentin dhe mësimet e jetës, kapitull që mbetet gur themeli për të gjitha arritjet e mëvonshme.
Pedagogu autoriteti i qetë
Studimet në Institutin e Lartë “Vojo Kushi” për mësues të edukimit fizik, i përfundoi në vitin 1965. Nga gjimnazi i Durrësit, kalon në të famshmen shkollë të mesme “Qemal Stafa” në Tiranë. Në shtator 1969 bëhet pedagog në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Drejtësisë dhe Arteve.
Autori i këtyre rradhëve, e ka patur Astrit Zhordën pedagog në Shkencat Politike. E kujtoj si figurë të rrallë, korrekt, i qetë, me autoritet moral. Të shikonte drejt në sy dhe të fliste me qetësi. Nuk ngrinte zërin. Nxënësit e donin, sepse ishte njerëzor.
Studentët e respektonin, sepse ishte i drejtë. Nuk falte mungesën e seriozitetit, por ishte i pari që të jepte dorën kur kishe nevojë. Kolegët e çmonin, sepse ishte korrekt. Ishte prej atyre pedagogëve, që nuk të linin vetëm njohuri, por edhe formë karakteri.
Në vitet 1984–1988 u rikthye në misionin e tij të dashur, mësimdhënien si pedagog i fiskulturës në Institutin Bujqësor të Kamzës. Aty vazhdoi të formojë të rinj, duke u mësuar jo vetëm ushtrime fizike, por disiplinë dhe etikë.
Në Federatën Shqiptare të Futbollit arkitekti i korrektësisë
Kur nisi punë në Federatën Shqiptare të Futbollit si sekretar, me kryetar Besim Fagun, fusha e arbitrimit u bë beteja e tij morale. Ishte kohë e ndjeshme, por ai nuk njihte kompromis me ndershmërinë. U angazhua për formimin e gjyqtarëve. Vendosi standarde. Ishte nga ata kuadro, që nuk bënin reklamë për veten, por punonin që sistemi të funksiononte.
Iu bë krahë dhe nxiti drejt profesionalizmit gjyqtarë të tillë si Besnik Kaimi, Plarent Kotherja, Uvil Zajmi, Bujar Pregja, Luan Zylfo etj. Mori pjesë në një seminar ndërkombëtar në Zvicër, së bashku me gazetarin Prokop Koreta dhe gjyqtarët Met Myshku dhe Ramiz Pregja. Ishte koha kur përfaqësonte Shqipërinë me staturë profesionale. Nuk shkoi vetëm për të dëgjuar, por për të mësuar dhe për të sjellë formate më të mira në Shqipëri.
Punoi ngushtë me personalitete si Veiz Lelo, Mustafa Çelkupa, Kristaq Miço dhe Azis Tahiri. Me ta ndante jo vetëm detyrën, por edhe një filozofi. Sporti është i shenjtë, kur është i drejtë.
Ishte kuadër i kërkuar, sepse mbeti i ndershëm. Puna në Federatën Shqiptare të futbollit, ishte në vlerat e afirmimit të personalitetit të lartë që kishte krijuar Astrit Zhorda. Ishte periudha kur futbolli kërkonte jo vetëm organizim, por mbi të gjitha drejtësi.
Olimpizmi dhe drejtimi
Në vitet 90-të mori përgjegjësi në lëvizjen olimpike. Ishte ndër ata, që në kohë të turbullta, u përpoqën të mbanin sportin në këmbë. Astriti dha gjithçka për ta mbajtur të ndezur pishtarin e olimpizmit.
Nuk kërkoi poste për lavdi. I pranoi si detyrim.
Astrit Zhorda, u zgjodh kryetar i Komitetit Olimpik të Tiranës. Më pas u bë nënkryetar i Komitetit Olimpik të Shqipërisë, me kryetar Arben Jorgonin. Tjetër dëshmi e besimit që i jepej, sepse ishte figurë që garantonte seriozitet, qetësi dhe integritet.
Nga një vend pune në tjetrën. Nga federata e futbollit, tek lëvizja olimpike. Veprimtaria sportive, organizimi dhe drejtimi i saj, kërkonin deomos mbështetjen e përvojës dhe aftësitë e Astrit Zhordës. Nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, si shef i edukimit fizik dhe sporteve.
Kudo mbeti i njëjti, i drejtë, i matur, i palëkundur në parime.
Familja dhe shoqëria zemra e jetës së Astrit Zhordës
Astrit Zhorda nuk ishte vetëm një figurë e shquar e sportit, pedagogjisë dhe drejtimit, por edhe njeri i dashur dhe i përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë. Në çdo hap të jetës, familja mbeti shtylla kryesore, burim mbështetjeje dhe frymëzimi. Bashkëshortja Roza, vinte nga Pogradeci, e bija e njohur dhe e respektuar e Tefta Pojanit, arsimtare që kishte edukuar dhe mësuar breza të tërë me dije dhe përkushtim.
Roza dhe Astriti, ndajnë një partneritet të veçantë. Respekt, mbështetje dhe një bashkëpunim të natyrshëm. Roza Pojani nuk mbeti vetëm bashkëshorte, por aleate dhe shoqe e çdo momenti, duke ndarë çdo sukses dhe sfidë. Në sytë e saj, Astriti ishte gjithmonë njeri i drejtë dhe i ndershëm, shembull për të gjithë që e njihnin.
Indriti dhe Rubini, janë dy djemtë e çiftit Zhorda. Indriti, gazetar i diplomuar në Universitetin “Aristoteli” në Selanik, trashëgoi pasionin për komunikimin dhe etikën profesionale. Rubini ndoqi profesionin e nënë Teftës, duke krijuar një klinikë të suksesshme në Tiranë Studio Dentare “Zhorda”. Astriti nuk e edukoi familjen vetëm me fjalë. E drejtoj me shembull, duke treguar rëndësinë e përgjegjësisë, korrektësisë dhe ndershmërisë në çdo hap të jetës. Familja e tij ishte model integriteti, bashkimi dhe dashurie të ndërsjellë.
Në formatin jetësor, ku familja dhe shoqëria ndërthuren, kuptohet qartë se fuqia e Astrit Zhordës nuk ishin thjeshtë titujt, medaljet apo postet, por në mënyrën se si ndikoi dhe frymëzoi njerëzit rreth tij. Krijoi rrjet mbështetjeje dhe respekti, që do të jetojë gjatë, një trashëgimi e vërtetë njerëzore.
Por Astriti, nuk ishte i mbyllur vetëm në familje. Shoqëria, kolegët dhe miqtë e sportit dhe pedagogjisë, e respektonin dhe e donin për mënyrën se si e trajtonte çdo njeri. Në çdo takim, çdo bisedë apo stërvitje, Astriti ishte i hapur, i ndershëm dhe i qetë. Mbeti shok që nuk të braktiste, mik që dinte të këshillonte dhe kuadër që
Astrit Zhorda është njeri i dashur dhe korrekt, i ndershëm dhe i matur.
Si qytetar, respektoi ligjin dhe rregullat, duke dhënë shembull për të rinjtë. Si koleg, ishte bashkëpunues dhe i besueshëm, gjithmonë i gatshëm të ndihmojë dhe të këshillojë. Si kuadër, dinte të organizonte, të motivonte dhe të siguronte korrektësi në çdo detyrë. Si mik dhe shok, mbetet i vërtetë dhe i palëkundur.
Kur flet respekti
Salla ishte mbushur plot, një atmosferë që vetëm një jetë si ajo e Astrit Zhordës mund ta meritonte. Çdo stol, çdo mur dhe çdo dritare, dukeshin sikur ndriçonin nga respekti dhe dashuria për figurën që po nderohej. Në muret e sallës ishin vendosur dekorime simbolike. Ndonjëherë nderimi matet me emocion, respekt dhe dashuri të sinqertë.
Astriti u ul në vendin kryesor, por nuk dukej si njeri që kërkonte vëmendje. Ishte aty, i qetë, i përulur, por çdo sy i drejtuar drejt tij, e dinte se para tyre ishte një njeri, që kishte dhënë gjithçka për sportin, pedagogjinë dhe shoqërinë.
Dekorimet dhe titujt ishin të shumtë. Titulli “Fisnikëria e Tiranës” nga Shoqata Tirana, “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Futbollit, titulli “Ambasador për Paqen” nga Federata e Paqes Universale e Shqipërisë. Çdo dekoratë është një kapitull i jetës, një reflektim i korrektësisë, seriozitetit dhe përkushtimit.
Folësit hapën serinë e fjalëve me respekt dhe emocion të thellë. Kristaq Miço foli për profesionalizmin dhe humorin e tij të hollë, që e bënin bashkëpunimin jo vetëm të frytshëm, por edhe të këndshëm. Figura mitike e basketbollit Agim Fagu, foli edhe në emër të babait Besim Fagu, duke nxjerrë në pah ndikimin e Astritit tek sportistët dhe studentët.
Ndërsa operatori i njohur i TVSH, Astrit Omeri, kujtoi ndihmesën e tij të çmuar në kualifikimet e gjyqtarëve të futbollit. Respekt dhe mirnjohje shprehën edhe gjyqtarë e njohur Besnik Kaimi, Yvil Zajmi, Bujar Pregja dhe Plarent Kotherja.
Të gjithë e panë në atë ditë, se respekti dhe dashuria që mblidheshin rreth tij nuk ishin vetëm për punën që kishte bërë, por për mënyrën se si e kishte bërë, me personalitet, pasion dhe zemër të madhe.
Roza, bashkëshortja e përkryer, ishte pranë tij si mbështetje e përjetshme. Djemtë Indriti dhe Rubini, ndanin krenarinë dhe emocionin për të atin, që kishte dhënë gjithçka për edukimin, sportin dhe komunitetin.
Në atë ditë, Astriti u shfaq jo vetëm si figura publike, por si njeri i plotë: pedagog, kuadër, futbollist, shok, mik, bashkshort dhe baba. Çdo vlerësim, çdo fjalë, çdo buzëqeshje e tregonin këtë qartë.
Zhorda ishte dhe mbeti shembulli i korrektësisë, pasionit dhe integritetit, një portret i paharrueshëm që frymëzon çdo brez.
Kur dritat u fikën dhe njerëzit u larguan, shpirti i kësaj dite mbeti. Një testament i jetës së një njeriu, që tregoi se çfarë do të thotë të jesh me shkëlqim, i ndershëm dhe i paharrueshëm. Një portret që nuk shuhet kurrë, një shembull që do të jetojë gjithmonë.
Një lis që nuk rrëzohet
Astrit Zhorda, nuk është vetëm pjesë e historisë së futbollit shqiptar, por ndër ata që e shkruan atë me ndershmëri. Në fushë ishte lojtar me mendje. Në auditor ishte edukator me shpirt. Në federatë ishte garant i drejtësisë. Në jetë mbeti njeri fisnik. Figura e tij, është si një lis i vjetër në mes të parkut të sportit shqiptar, me rrënjë të thella, me degë të forta, me hije të bollshme. Dhe për ne që patëm fatin ta njohim, mbetet krenari.
Astrit Zhorda ishte futbollist me mendje inxhinieri. Pedagogu me zemër prindi. Kuadri me moral të hekurt. Qytetar me fisnikëri tiranase. La gjurmë në Kavajë. La kujtime në Durrës. La standard në Tiranë. Të kesh qenë student i tij është krenari. Ta kesh njohur është pasuri. Të shkruash për të është detyrim. Astrit Zhorda është nga ata burra, që nuk e bëjnë historinë me bujë, por me qëndrueshmëri. Nuk është yll i zhurmshëm. Është dritë e qëndrueshme. Nuk është njeri i polemikës. Është njeri i ekuilibrit.
Dhe ne që e kemi njohur, e dimë mirë, figura të tilla nuk përsëriten shpesh. Ata lënë gjurmë jo me zë të lartë, por me peshë të rëndë. Astrit Zhorda është nga ata, që edhe kur hesht, flet me veprën e tij. Sepse disa njerëz, nuk largohen kurrë. Ata mbeten standard. Mbeten masë. Mbeten nder. Astrit Zhorda është një prej tyre.
Astriti është Tirana, Durrësi, Politeknikumi, “Lokomotiva”, “Dinamo” dhe “Partizani” të bashkuar në një jetë, e bukur, e fortë, krenare. Profili i tij është dritë, model që frymëzon brezat dhe trashëgimi, që nuk mund të harrohet. Nuk kërkonte vlerësime. Ato i erdhën natyrshëm, sepse cilësitë e tij ishin të dukshme, të ndershme dhe të pakrahasueshme.
Si qytetar, Astriti i dha Tiranës më shumë se sa mund të kërkohej: korrektësi, përgjegjësi dhe shembull moral. Në çdo hap, në çdo vend, tregoi se njeriu i vërtetë nuk matet me tituj apo funksione, por me mënyrën se si trajton njerëzit, si ruan besimin dhe si ndërton respektin.
Nxënësit dhe studentët, nuk e respektonin vetëm për dijet, por për qetësinë, drejtësinë dhe ndershmërinë që shfaqte çdo ditë. E dinte se lideri nuk është ai që urdhëron, por ai që frymëzon, edukon dhe sheh më larg se të tjerët.
Astriti Zhorda, është si një rrugë që nuk harrohet. E shtruar me korrektësi, e ndriçuar nga pasioni dhe e mbushur me gjurmët e një njeriu, që lë trashëgimi të përhershme. Astriti Zhorda nuk ishte vetëm një jetë, por një testament i gjallë i korrektësisë, pasionit dhe nderit.





