“”Krishti u ngjall, vërtetë u ngjall”, ky është urimi që besimtarët ortodoksë japin ditën e Pashkës, qoftë kohë lufte, qoftë me paqe, qoftë në kohën e pandemisë në të cilën gjendemi apo në çfarëdo lloj situate tjetër.”, thotë At Spiro Kostoli.

Si asnjëherë më parë, katedralja ortodokse e Apostul Palit dhe Shën Astit në Durrës për shkak të koronavirusit ishte e zbrazët në meshën e Pashkëve, ditën më të rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.

At Spiro Kostoli e krahason situatën në të cilën ndodhemi aktualisht me atë të Jezu Krishtit teksa thotë se ashtu si Zoti qëndroi i mbyllur për tre ditë brenda në varr për të shpëtuar jetën nga vdekja, ashtu edhe ne ftohemi sot të qëndrojmë brenda në shtëpitë tona.

“Uroj të gjithë të krishterët ortodoksë gëzuar Pashkët dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, Zoti t’i bekojë dhe qoftë pranë nesh në këto ditë të vështira që ta kapërcejmë këtë moment dhe më pas të gjithë së bashku të festojmë të gjitha të kremtet e shenjta brenda në kishë me prezencën e popullit besimtar.”, uron At Spiro Kostoli.

Të krishterët në festën e Pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit te Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.