“A e dini kush është gjëja më dramatike? Të shohësh pacientët që vdesin të vetmuar, t’i dëgjosh teksa të luten për të përshëndetur fëmijët apo nipërit”.
Doktoresha Francesca Cortellaro, nga spitali San Carlo Borromeo në Milano, është një nga shumë pjestarët e stafit mjekësor në Itali që po përballet në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit. Ajo tregon për Il Giornale momentet e fundit të jetës së shumë pacientëve, që sic thotë, mbeten të kthjellët deri në momentin e fundit, kur e kuptojnë që po ikin nga kjo botë.
“E sheh urgjencën? Pacientët Covid-19 hyjnë vetëm, asnjë i afërm nuk mund t’u qëndrojë pranë dhe kur janë duke vdekur e kuptojnë. Janë të ndërgjegjshëm, nuk humbin vetëdijen. Është sikur mbyten, por kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta kuptuar. I fundit ishte mbrëmjen e sotme. Ishte një gjyshe dhe donte të shihte mbesën. Nxorra telefonin dhe i bëra një video-telefonatë. U përshëndetën, më pas ajo u nda nga jeta. Tashmë kam një listë të gjatë video-telefonatash. E quaj lista e lamtumirës. Shpresoj të na japin mini-iPad, do të na mjaftonin 3 apo 4 të tillë, për të mos i lënë të vdesin vetëm”, – rrëfen doktoresha Cortellaro.
Teksa dëgjon rrëfimet e saj dhe të kolegëve të saj, e kupton që nuk je në një film, kupton që katastrofa ka mbërritur, që të gjitha këto fytyra të mbuluara, të gjitha këto duar të shtrira, luftojnë dëshpërimisht për të dalë jashtë.
Profesor Stefano Muttini, shef i reaminacionit e pranon situatën mjaft të rëndë.
“Kam përshtypjen se kam përfunduar brenda një tsunami, që sado që ti lufton, nuk do mundesh kurrë ta ndalësh. Problemi kryesor që kemi është të gjejmë vende të reja. Reanimacioni im kishte 8 shtretër, pastaj munda të shtoj 7, pastaj 8 të tjerë dhe në fund 16, duke shkuar në 31 shtretër. Kjo është një nga ato situatat kur për herë të parë ndihem i sfiduar”- tregon ai i dëshpëruar.
Carlo Serini, një tjetër mjek, tregon një tjetër histori.
“Jam reanimator prej vitesh, por tani është ndryshe. Sonte iu afrova një të moshuari, I kishim vendosur kaskën për frymëmarrjen e drejtuar. Ai shihte përreth i trembur. Kur iu afrova po më pëshpëriste: Është e vërtetë, jam rëndë? Kryqëzova shikimin me të dhe e kuptova që nuk më kishte mbetur më një përgjigje”, thotë Serini.
Në shifrat e bëra publike sot nga autoritetet shëndetësore në Itali, në 24 orët e fundit u regjistruan 250 vdekje më shumë se një ditë më parë, duke e çuar shifrën e të vdekurve në 1266.





