Kryeministri Edi Rama i ka quajtur sot si “derdimenë” përkrahësit e opozitës gjatë takimit të radhës elektoral në kuadër të nismës “Deputeti që Duam”.
Gjatë këtij takimi, kryeministri ka lexuar një mesazh të një personaliteti të njohur, që sipas tij ka thënë se ka fjetur rehat, pasi pa pamjet reale të spitaleve që u transmentuan në ERTV.
“Një personalitet me shkruan që: shyqyr që më në fund fjeta një natë rehat pasi pash pamjet reale brenda nga spitaleve, se isha i tmerruar nga ankthi s’e s’do kishte një shtrat për mua në spital nëse do ishte nevoja. Kjo është opozita, që kur tregon brendinë e spitaleve thotë është propagandë, dhe është për të ardhur keq për derdimenët që i ndjekin pas dhe që i dëgjojnë dhe i besojnë. Se të thuash propagandë për atë që shikon dhe të thuash fakt për atë që vetëm dërdëllis, është me të vërtetë një fyerje e inteligjencës njerëzore”, tha Rama.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë ka folur edhe në lidhje për shtimin e testeve dhe arsyen që sipas tij, fshihet pas kësaj kërkese. Rama tha se nxitja e sa më shumë testeve, ka nga pas interesat të lobeve të caktuara të lidhura me industritë farmaceutike.
“Flasin për teste, e çmenden miletin! Shqipëria bën më pak teste. Sot askush nuk i përgjigjet pyetjes pse vendet që bëjnë më shumë teste, s’e kanë ndaluar armikun e padukshëm të përparojë. Ka dhe mendime që nxitja për të bërë teste është e lidhur me interesa financiare të lobeve të industrisë farmaceutike. Ka një fakt që bërja e shumë testeve s’ka sjellë ndonjë ndryshim në dinamikën e epidemisë. Këtë s’e kam thënë unë, por burime nga të cilat mësoj unë sepse unë s’jam ekspert për këtë punë”, theksoi kryeministri nga Vlora.





