Në Bergamo ai i ka bindur të gjithë. Një meritë të padiskutueshme në suksesin e Atalantës gjatë këtij sezoni e ka pikërisht ai, Etrit Berisha. I transferuar nga Lazio te skuadra zikaltër në formë huazimi, portieri i kombëtares shqiptare është kthyer në një lider të vërtetë te Atalanta. Falë edhe sigurisë që ka përcjellë 28-vjecari mes shtyllave në 20 takimet që është aktivizuar në këtë sezon, Atalanta ka arritur të zhvillojë një sezon fantastik dhe po luftonon me Lazion, Interin e Milanin për një vend në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm.

Drejtuesit e Atalantës kanë gjetur Berisha portierin për të cilin kishin nevojë dhe tashmë kanë nisur për të blerë përfundimisht kartonin e kuqeziut nga Lazio.Sipas asaj që raporton faqja e specializuar “Tuttomercatoweb”, Atalanta i ka bërë një ofertë të parë klubit bardhekaltër për Berishën, por 4 milionë Eurot e vendosura në pjatë nga drejtuesit bergmaskë janë konsideruar shumë pak nga presidenti i Lazios, Lottito dhe drejtori sportiv Igli Tare.

Për të lënë përfundimisht të lirë lojtarin, bardhekaltërit kërkojnë 7 milionë Euro gati dyfishin e shumës së orfuar nga Atalanta për 28-vjecarin. Megjithatë duke patur parasysh dëshirën e Berishës për të vazhduar karrirerën në Bergamo gjasat janë që dy klubet të gjejnë një rrugë të mesme duke arritur një marrëveshje. Atalanta dhe Lazios do të ulen sërish në një tryezë për të biseduar pas festës së Pashkëve dhe gjasat janë që Etrit Berisha të shndërrohet në cdo efekt një futbollist i klubit zikaltër.