Me rastin e mbarimit të mandatit të qëndrimit si atashe ushtarak i Britanisë për vendin tonë nënkolonel Richard Parry dhe prezantimit në këtë detyrë të atasheut të ri nënkolonel Edward Melotte, dy ushtarakët zhvilluan vizitë kortezie në Plepa, Durrës, në Komandën e Forcës Detare. Sipas kësaj të fundit, dy përfaqësuesit e "Luanit", u pritën nga komandanti i Forcës Detare gjeneralmajor Ylber Dogjani. i cili shprehu vlerësim e falënderim atasheut në ikje për angazhimin e treguar dhe bashkëpunimin e deritanishëm që Forca Detare ka patur me Britaninë e Madhe.

Nga ana e tij, atasheu në ikje shprehu bindjen se bashkëpunimi në fushën ushtarake do të vazhdojë edhe në të ardhmen nëpërmjet zëvendësuesit të tij.

Atasheu i sapoemëruar nënkolonel Edward Melotte, i cili do të jetë rezident në Tiranë, u njoh me bashkëpunimet e deritanishme mes dy vendeve përsa i përket arsimimit, por edhe stërvitjeve që Forca Detare ka zhvilluar me Britaninë e Madhe.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë që pala britanike mund të ofrojë si bashkëpunim në shërbimin hidrografik, zhytje, arsimim, trajnimi në ligjshmërinë detare dhe stërvitje të përbashkëta.

U diskutua gjithashtu edhe vizita e ardhshme e një anije britanike, e cila është planifikuar të vizitojë Portin e Durrësit gushtin e ardhshëm.