15 korrik 2015 – Kryeministri Edi Rama shtroi mbrëmjen e së martës një Iftar me rastin e muajit të Ramazanit në Kryeministri, ku morën pjesë përfaqësues të besimeve fetare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, politikanë, artistë dhe gazetarë.
Gjatë fjalës të mbajtur, Rama tha se tryeza e iftarit është një tryezë ku mund të mblidhen së bashku njerëz të besimeve të ndryshme, por edhe ata që nuk besojnë, duke treguar më tej që një ateist e kishte refuzuar ftesën e tij.
“Më bëri përshtypje refuzimi i ftesës nga një njeri i ditur, i cili me mirësjellje i tha Protokollit të kryeministrisë se ishte ateist dhe si i tillë nuk mund të ulej në një sofër si kjo e kësaj mbrëmjeje”, tha kreu i qeverisë.
Portali ‘Lapsi.al’ shkruan se ateisti në fjalë është Mustafa Nano. Gazetari mësohet të ketë thënë se “Unë nuk pranoj të vij në një darkë për iftar që shtron një politikan, e aq më tepër një kryeministër”. Sipas Nanos, është disi paradoksale një ceremoni e tillë, ndërsa kryeministri nuk ka mundur ta mbajë sekret.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/