Komuniteti botëror është tronditur nga sulmi i armatosur ndaj ish-kryeministrit të Japonisë në qytetin Nara, ndërsa shumë media ndërkombëtare shprehin frikën se politikani 67-vjeçar ka vdekur.
Departamenti i zjarrfikësve në Nara (në Japoninë perëndimore) konfirmoi se Shinzo Abe , i cili u qëllua nga një burrë i armatosur me pushkë në shpinë ndërsa politikani po mbante një fjalim fushate në një zonë të hapur, nuk kishte shenja jetësore dhe ishte në gjendje “Arrest kardiopulmonar”, kur një ambulancë e dërgoi në spital.
Një zëdhënës i qeverisë japoneze tha se zoti Abe u sulmua nga personi i armatosur rreth orës 11:30 të mëngjesit (me orën lokale).
Burri që qëlloi ndaj politikanit – kryeministri më jetëgjatë i Japonisë (2006-2007, 2012-2020) – është arrestuar dhe arma që ai përdori është sekuestruar nga policia, thanë mediat.
Bëhet fjalë për një 42-vjeçar , sipas informacioneve të para, ish-ushtarak.
Ish-kreu i qeverisë ishte duke mbajtur një fjalim përpara zgjedhjeve të Senatit të së dielës kur u qëllua, sipas transmetuesit publik japonez NHK dhe agjencisë së lajmeve Kyodo.
Shinzo Abe u rrëzua i gjakosur nga gjoksi dhe qafa, tha një burim i afërt me fraksionin e tij, Partinë Liberal Demokratike (LDP), për agjencinë e lajmeve Jiji.





