MILOT 19 shkurt 2014 – Dy persona kanë mbetur të vdekur dhe një është plagosur në një atentat mbrëmjen e sotme në Milot. Sipas policisë persona ende të pa identifikuar i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me armë zjarri drejt një automjetit tip ‘Golf 5’ me targë AA047VM . Nga plumbat kanë humbur jetën dy persona Klodian Ndreca 28 vjeç dhe Taulant Prendi 25 vjeç si dhe është plagosur Aurel Prendi 21 vjeç. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka gjetur një pistoletë dhe një kallashnikov. Autorët e atentatit ende nuk janë identifikuar ndërkohë që efektivët e policisë kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen. Sipas policisë 21-vjeçari Aurel Prendi është vëllai i viktimës Taulant Prendi.Vëllezërit Prendi kanë një punishte guri oxhaqesh.21-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën. Nga hetimet paraprake rezulton se tre personat e mësipërm janë qëlluar me breshëri plumbash. Sipas policisë viktimat dhe i plagosuri dyshohet të jenë qëlluar nga dy persona. Forcat e policisë  po ushtrojnë kontrolle në gjithë zonën për kapjen e autorëve.