Itali, 14 korrik 2014 – Rreth orës 20.00 të së hënës, shqiptari Igland Bodinaku, 24 vjeç, u bë objekt i një atentati. Në qendër të qytetit siçilian të Xhelas (Gela), Iglandi u plagos me tre plumba, në këmbë, në bark dhe në gjoks.

Faktikisht Iglandi kishte thyer masën e sigurisë arrest shtëpie (në banesën e hallës së vet), pasi kishte dalë shëtitje në qendrën historike të qytetit.

Bodinaku ka një seri precedentësh penalë, ndonëse është në moshë të re. Në 10 maj 2014 është arrestuar për ngarje makine pa patentë.

Në prill 2013 është përpjekur të shtypë me makinë të dashurin aktual të ish të dashurës së vet si edhe babain e tij.

Në janar 2012 arrestohet për thyerje të masës së sigurisë arrest shtëpie, ku kishte përfunduar në korrik 2011 i akuzuar për vjedhje banese.

Në korrik 2009, ndonëse ishte vetëm 19 vjeç, arrestohet për vjedhje banese bashkë me tre italianë.

Kujtojmë se Igland Bodinaku është i biri i Ylli Bodinakut, që familjarisht theu murin e Ambasadës Gjermane në 2 Korrik 1990. Iglandi ishte vetëm dy muajsh, kur i jati kreu aktin heroik të hyrjes në ambasadën gjermane.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/