Të shtëna me armë zjarri janë shënuar mesditën e sotme në Krujë, ku është plagosur Mariglen Haka, i njohur si anëtar i bandës së Niklës.

Sipas policisë, Haka është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës dhe për momentin ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorit.

Hakaj i shpëtoi një atentati në shtator të vitit 2019, në Fushë-Krujë, ku u qëllua me 85 plumba nga dy drejtime në derën e shtëpisë së tij. Vetë i riu mbeti i plagosur, ndërsa halla e tij, Shpresa Basha ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Njoftimi i policisë:

Krujë/Informacion paraprak

Në Nikël, Krujë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi M. H., i cili është transportuar për në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore dhe për momentin ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Krujë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e kapjen e autorit.