Mesditën e të shtunës së 30 shtatorit, dy shqiptarë në komunën e San Miniatos në provincën e Pisas në Itali janë sulmuar me armë zjarri, ku njëri shtetas ka mbetur i plagosur. Makina me të cilën udhëtonin dy shtetasit shqiptarë është bllokuar nga dy automjete të tjera, të cilët kanë hapur zjarr kundër tyre.
Policia italiane e lajmëruar nga banorët ka mbërritur në vendngjarje por nuk ka mundur të ndalojë asnjërin prej tyre. Forcat e rendit kanë mundur të sekuestrojnë automjetin e goditur nga plumbat. Pak orë më vonë nga ngjarja, në spitalin e zonës një shtetas shqiptar i plagosur me armë zjarri ka kërkuar ndihmë mjekësore. Sipas autoriteteve italiane, është një nga protagonistët e këtij atentati.
Policia italiane ka hapur një proces hetimor duke marrë në pyetje shqiptarin e plagosur. Sipas dëshmitarëve kjo ngjarje mund të jetë një larje hesapesh mes bandash.





