LAS VEGAS, 22 shkurt 2013– Të shtënat vdekjeprurëse që kanë ndodhur dje në zemër të Las Vegasit ishin nxitur nga një sherr i mëparshëm në një hotel. Kështu beson policia që po heton të shtënat e pazakonta në bulevardin “Las Vegas” dhe rrugën “Flamingo”, zona e kazinove të mëdha. Dikush, në një “Range Rover” të zi, hapi zjarr mbi një  “Maserati” në një semafor, duke e përplasur atë me një taksi që shpërtheu në flakë, duke lënnë tre persona të vdekur dhe gjashtë të plagosur. Policia tha se po kontaktonin me autoritete e tri shteteve fqinje për Range Rover Sport me xhama të zinj, e cila edhe targat i kishte të mbuluara me letër ngjitëse. Krimi ndodhi rreth orës 4:30 të mëngjesit me orën lokale. Policia tha se “Maserati” ka goditur taksinë, e cila shpërtheu dhe shoferi e pasagjeri i saj humbën jetën. Edhe shoferi mashkull i “Maseratit” vdiq. Kështu raportohej fillimisht.
 
Por tani mësohet se në fakt kanë qenë vetëm personat e armatosur në një makinë Range Rover me xhama të zinj, që i janë afruar një makine Maserati, duke qëlluar mbi shoferin, ndërkohë që ai ishte ndalur në semafor duke pritur të ndizej drita jeshile.
 
Shoferi i Maserati-t ka lëvizur makinën, duke u përplasur me një taksi, që ka marrë flakë. Si pasojë ka vdekur shoferi i taksisë, një pasagjer i tij si dhe shoferi i Maserati-t.
 
Mësohet se personi i sulmuar është një këngëtar rap-i, i quajtur Kenny Clutch, që nuk kishte shumë kohë që kishte publikuar disa këngë të tijat. Në njërën prej tyre ai madje theksonte se si mbante një pistoletë në makinën e tij italiane, që kushton 120 mijë dollarë.
 
Burimet thonë se shkak i krimit ka qenë një zënkë në një kazino mes rapper-it dhe personave që ishin në makinën Range Rover. Këta të fundit janë ende të lirë, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të tyre.
 
Ngjarja ka ndodhur pranë vendit ku në vitin 1992 u qëllua edhe rapper-i Tupac Shakur. Një dëshmitar tha se skena ishte si në filmat “Die Hard”. Disa makina të tjera u dëmtuan, ndërsa katër persona u plagosën dhe po marrin trajtim në spital.