Qyteti i Shkodrës është tronditur ditën e sotme, pasi persona të armatosur kanë shtënë me armë zjarri duke lënë të plagosur 3 persona.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur ish-“5 Heronjtë” në qendër të qytetit, ku raportohet se personat e plagosur janë Dionis Lisi, 32 vjeç, Enrik Prendushi 59 vjeç, si dhe 25-vjeçarja me iniciale L.T.. Shënjestra dyshohet të ketë qenë Dionis Lisi, ndërsa dy të plagosurit e tjerë, kanë qenë kalimtarë të rastit.

Dyshohet se autori/ët kanë qenë duke lëvizur me një mjet tip “Golf” ngjyrë jeshile kur kanë qëlluar rreth 8 herë me pistoletë.

Nga të shtënat, mbetën të plagosur shtetasit Enrik Prendushi dhe Dionis Lisi, ndërsa plumbat kapën edhe vajzën 25-vjeçare.

Lisi ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ngritur postblloqe të shumta në Shkodër, për kapjen e autorëve. Një grup hetimor është ngritur për zbardhjen e ngjarjes.