1 tetor 2015 – Dy persona janë ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të lulishtes “1 Maji” tek ish-Ekspozita, rreth orës 20:00, në një kohë që kjo zonë tejet e populluar, kishte shumë persona kur filluan të shtënat me breshëri.
Sipas të dhënave të para, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri tip Kallashnikov në drejtim të makinës tip BMW me targa AA 675 JS, teksa mjeti ishte në lëvizje e sipër. Në këtë makinë ndodheshin 4 të rinj, ku dy prej tyre mbetën të vdekur në vend.
Viktimat janë një djalë dhe një vajzë të moshës rreth 30 vjeç, të cilët janë identifikuar si Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, ndërsa është plagosur drejtuesi i automjetit, Elvis Gaçaj. Dy të parët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i plagosuri është dërguar në spital.
Por, pasagjerja e katërt që ndodhej në sediljen e pasme, Eda Gj. iu ka shpëtuar për mrekulli plumbave. Pasi kanë përfunduar të shtënat, ajo ka dalë nga makina dhe më pas i është drejtuar Komisariatit, ku dhe është pyetur rreth atentatit.
Forca të shumta policie rrethuan vendin e krimit dhe nisën hetimet rreth ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, në Tiranë janë ngritur postblloqe për të kapur autorin e vrasjes.
/S.L. portali DurresLajm/





