Rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të mërkurës në lagjen nr.1 pranë Prokurorisë së Rrethit Sarandë, disa persona të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të 39-vjeçarit, Rudin Haxhia.
Në kohën kur në drejtim të Haxhiajt është qëlluar me breshëri kallashnikovi, ky i fundit ishte duke dalë nga një pikë bastesh e cila ishte e mbipopulluar për shkak se luhej ndeshja Atletiko Madrid-Real Madrid.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale dhe se kjo është hera e shtatë që i bëhet atentat ish-efektivit të policisë Rudin Haxhia, i njohur ndryshe si ish-pronari i diskos “Ecuador”.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia ka sekuestruar armën e zjarrit, tip kallashnikov me silenciator, e cila dyshohet se iu ka rënë nga dora autorëve, në ikje e sipër.
Rudin Haxhiaj ka qenë agjent i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër deri në vitin 2007, gjithashtu ai ka qenë pronar i diskos “Ecuador”, e cila u mbyll pas sulmit me tritol më 15 shtator 2013.
Në sulmet e mëparshme policia ka hetuar pistat e konkurrencës ose të profesionit që ka pasur Haxhiaj, ndërsa për rastin e fundit ende nuk ka një konfirmim se cili mund të jetë shkaku i atentatit.





