Policia e Lezhës ka zbardhur dinamikën e plagosjes së dy personave mbrëmjen e së dielës në qendër të Shëngjinit.
Në një deklaratë për mediat, policia sqaron se objekt sulmi ka qenë Florian Dushku 28 vjeç, ndërsa Samet Bercaj 19 vjeç u plagos aksidentalisht, i gjendur rastësisht.
Po ashtu,18 persona janë shoqëruar lidhur me ngjarjen.
NJOFTIMI I POLICISË
Lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Shengjin ku mbeten të plagosur 2 persona, jashtë rrezikut për jeten, Policia e Lezhës ka kryer disa veprime hetimore për zbardhjen e autorësisë.
Nga tërësia e veprimeve dyshohet se objekt sulmi të ketë qenë shtetasi F.D, ndërsa shtetasi S.B. u plagos aksidentalisht, i gjendur rastësisht.
Për të identifikuar dhe kapur autorët e ngjarjes, janë shoqëruar 18 persona, janë këqyrur dhe administruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes.
Të mbështetur nga forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, është ushtruar kontroll në 7 banesa dhe ambiente. Vazhdon puna për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj ngjarje, si dhe për sqarimin e motiveve, fakteve dhe rrethanave.
Materialet iu referuan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativ” si dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municionit” parashikuar nga neni 79/dhe 22 dhe 278/4 të Kodit penal .





