Një atentat me pasojë vdekjen ka ndodhur në provincën e Colon, në Panama. Futbollisti i America Cali, Amilcar Henriquez, 33 vjeç, është qëlluar për vdekje teksa dilte nga banesa e tij nga një person ende i paidentifikuar. Në këtë atentat kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, ndërkohë që ende nuk janë të qarta arsyet e këtij ekzekutimi mafioz.
Henriquez, lojtar që luan edhe me kombëtaren e Panamasë (75 ndeshje), është qëlluar disa herë me pistoletë. Ai ndërroi jetë pak minuta pasi kishte mbërritur në spital, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për këtë ngjarje të rëndë në futboll. Amilcar Henriquez është një nga futbollistët më të njohur në Panama, një idhull në vendin e tij. Ndaj dhe ky ekzekutim është vërtet një mister, ndërkohë që policia po heton në disa pista.