Autoblindat e Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë kanë zbarkuar në qytetin e vogël të Shijakut, për të shoqëruar një numër të konsiderueshëm “miqsh” me të cilët shoqëroheshin dy viktimat e atentatit të 25 prillit në autostradën Durrës- Tiranë, pranë Sukthit.
Burimet e policisë kanë bërë me dije se dy të rinjtë kishin një shoqëri të zgjeruar në zonën e Shijakut dhe aty qëndronin gjatë ditës në disa prej lokaleve dhe bareve të zonës. Në mbrëmje ata ktheheshin në Tiranë pranë banesave të tyre. Burimet thonë se janë shoqëruar një numër i madh personash për t’u pyetur në lidhje me aktivitetin e të rinjve, por deri tani nuk është zbuluar ndonjë bazë e tyre në këtë qytet.
Ndëkohë burimet kanë sqaruar se shoferja e smartit është edhe komshie në pallatin ku banonte 27- vjeçari Xhino Dautaj.
Sipas burimeve nga grupi hetimor nisur nga skena dhe dinamika e krimit me dy automjete dyshohet që pjesëmarrës në atentat të kenë qenë jo më pak se tre persona.
Në automjetin e parë BMW X5, kanë qenë dy persona, shoferi dhe pasagjeri i cili ka shtënë me kallashnikov nga xhami i parë i BMW-së në drejtim të automejtit tip AudiS8 në të cilin udhëtonin dy viktimat e atentatit. Edhe në automjetin e dytë dyshohet se kanë qenë dy persona, por hetuesit e kanë të vështirë të përcaktojnë më shumë detaje, për shkak se filmimet e sigurura nuk tregojnë këtë gjë, apo identitetin e autorëve.
Të njëjtat burime pohojnë se telefonat e gjetur në automjetin e viktimave janë duke u ekzaminuar nga hetuesit, për të parë e kontrolluar thirrjet telefonike të bëra prej tyre, para atenatit. Kompanive celulare u është kërkuar që në mënyrë urgjente të nxjerrin tabulatet telefonike. Fakti që dy djemtë janë larguar vetëm pak minuta pasi janë takuar me vajzat, dhe nuk kanë qëndruar gjatë me to, pavarësisht se vajzat ishin të lira, apo që nuk kanë drekuar me to, por janë larguar me shpejtësi, sipas hetuesve çon në dyshimin se dikush mund t’i ketë marrë në telefon.
Ka qenë vakt dreke ora 13 e 50 minuta, viktimat e atentatit janë larguar për të drekuar diku, kjo tregon se ata dikush i priste. Të gjitha këto dyshime do të verifikohen pasi tabulatet telefonikë të tyre të verifikohen me hollësi”,- pohoi një burim nga grupi hetimor.
Ndërkohë i njëjti burim saktësoi se atentatorët mund të jenë vrasës me pagesë, pasi të gjithë krimin e kanë kryer në maksimumin kohor prej 60 sekondash. "Nisur nga fakti që nuk kanë lënë gjurmë përveç gëzhojave dhe predhave dhe janë larguar pa u pikasur të bën të dyshosh që kemi të bëjmë me profesionistë",- pohuan burimet.





