20korrik 2015 – Pesë muaj pas ditës kur kryeministri Edi Rama dha dëshminë e tij për “atentatin ndaj Tom Doshit”, zbardhen fjalët e tij. Ai zbulon se, e gjithë kjo histori i është dukur intrigë që në fillim, por gjithsesi i ka kërkuar deputetit që të bënte kallëzim. Portali “Syri.net” ka bërë publike dëshminë e plotë të kryeministrit, duke nxjerrë detaje të reja

“Tom Doshi më kërkoi që ta çonim në parlament prokurorin e përgjithshëm dhe ta hiqnim fare”, ka treguar Rama. Sipas tij, ish-deputeti socialist i Shkodrës, i kishte treguar vjeshtën e kaluar se, i ishte thurur plan për ta vrarë, pas publikimit të videos Ilir Meta-Dritan Prifti. “I kërkova të fliste me kryeprokurorin dhe atëherë më tha që ta plasim në parlament e ta heqim. Më tha se do të shkonte në SHBA, për të bërë atje denoncim, tek nëndrejtori i FBI-së”, janë disa pjesë nga dëshmia e kryeministrit, dhënë në 6 mars të këtij viti.

“Kam komunikuar dhe me ministrin e Brendshëm, i cili kishte dijeni për këtë dhe më tha se, ‘duhet të jetë një nga ato muhabetet e Tomës’. Jam takuar edhe me kryeprokurorin Llalla, i cili buzëqeshi dhe dyshonte për ndonjë intrigë të Tom Doshit. Më tha se i kishte kërkuar që të bënte kallëzim, por Toma nuk e kishte bërë”. Në dëshminë e tij kryeministri deklaron se nuk ka folur me deputetin e partisë së tij që prej nëntorit të vitit 2014, kur nuk pranoi që Tom Doshi të denonconte rastin në FBI.

Nga ana e Prokurorisë u hetua kjo çështje, duke dalë në konkluzionin se gjithçka ishte sajesë. Deputeti Tom Doshi u arrestua bashkë me Mark Frrokun për kallëzim të rremë, por me pas u lirua.