Partia Demokratike ka reaguar pas atentatit mafioz në Tiranë ku u ekzekutua me armë zjarri djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi.
“Një 28 vjeçar është vrarë mbrëmë, duke e nisur një javë të re të përgjakur për kryeqytetin e Shqipërisë”, shprehet koordinatorja e departamenteve në PD, Silvi Bardhi.
Ajo shprehet se ekzekutimi i Klajdi Prendit është vrasja e treta brenda një javë.
“Një i ri 28 vjeçar, një nxënës 14 vjeçar dhe një biznesmen 52 vjeçar kanë humbur jetën në rrethana tragjike”, thekson Silvi Bardhi.
Deklarata e plotë:
Një 28 vjeçar është vrarë mbrëmë, duke e nisur një javë të re të përgjakur për kryeqytetin e Shqipërisë.
Një vrasje tipike mafioze, e cila mbyllet me makinën e djegur të autorëve, është tashmë një skenar tipik për Tiranën dhe Shqipërinë.
Ajo që Policia mund të na sigurojë nga këto ngjarje është vetëm komunikata, inicialet e të vrarëve, dhe fakti se autorët kanë ikur, si gjithmonë, në drejtim ta paditur.
Vrasja e Klajdi Prendit është e treta brenda një javë: një i ri 28 vjeçar, një nxënës 14 vjeçar dhe një biznesmen 52 vjeçar kanë humbur jetën në rrethana tragjike.
Të tria vrasjet i bashkon e njëjta gjë: klima e pasigurisë, mungesa e rendit, dorëzimi dhe kompromentimi i Policisë.
Partia Demokratike, duke i shprehur ngushëllimet familjes Prendi, siguron ata dhe të gjithë opinionin publik se një Memorandum i Rendit, Sigurisë dhe Jetës do të jetë pjesë e programit të saj elektoral për zgjedhjet e ardhshme.
Kthimi i Sigurisë së Jetës dhe Rendit Publik brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, siç ka ndodhur edhe në vitin 2005, është një premtim që kryhet sepse është mbajtur edhe më parë nga Qeveria Berisha.
Përveç kësaj, ne nuk i ndërpresim përpjekjet për Komisionin parlamentar të së Vërtetës. Ne e dimë se pas vrasjeve mafioze dhe rendit të humbur, nuk qëndron kriminaliteti apo prirja drejt tij e njerëzve, por çiftimi i politikës me krimin.
Lehtësirat dhe partneriteti që narko-qeveria u siguron bandave, u jep atyre leje për të vrarë e prerë, për ta konsideruar Shqipërinë një territor që e ndajnë me qeverinë e Edi Ramës.
Bandat e mendojnë veten si parti bashkëqeverisëse në koalicion me Ramën. Ato kanë marrë timonin, duke i lënë Ramës tepsinë.
Vrasjet në Tiranë gjatë kësaj jave kanë autorë të ndryshëm, por pas tyre qëndrojnë Edi Rama dhe ministri Hoxha.
Njëri si kryeministri në qeverinë e të cilit ka një koordinator të bandave, dhe tjetri si i emëruar i këtyre bandave në krye të Ministrisë së Brendshme.
Jo për të ruajtur rendin dhe sigurinë, por për të sinjalizuar bandat kur shërbimet e huaja kryejnë aksione kundër tyre, në Europë apo Shqipëri.
T’i kërkosh dorëheqje një ministri si Ervin Hoxha është punë e kotë. Kjo, sepse institucioni i dorëheqjes u përket burrave dhe grave me ndërgjegje, jo vartësve të narkobanditëve.