Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka mbledhur në një takim strukturat drejtuese të policisë dhe grupin hetimor dy ditë pas atentatit të rëndë që ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës ndaj prokurorit Arjan Ndoja.
Në takimin e mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Veliu ka kërkuar informacion lidhur me ecurinë e hetimeve për këtë ngjarje të rëndë kriminale. Hetimet po udhëhiqen nga prokurorët e krimeve të rënda Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj.
Prokurori i Durrësit Arjan Ndoja, Pëllumb Muharremi dhe Andi Maloku u sulmuan me armë në një atentat të tipit mafioz.
Pasditen e 1 nëntorit automjeti i tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një makinë në lëvizje në autostradën Tiranë-Durrës pranë mbikalimit të Shkozetit. Ndoja dhe Muharremi ndodhen në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shoferi i prokurorit, Andi Maloku, ndodhet në Spitalin e Traumës në kryeqytet në gjendje më të rëndë, por edhe ai jashtë rrezikut.
Policia po heton në disa pista për këtë atentat.





