Prokuroria e Tiranës ka marrë në hetim atentatin në Krujë ku mbeti i vrarë Ramazan Sino, kunati i Gentjan Bejtjas dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se Gentjan Bejtja i cili dyshohet se ishte shënjestra e atentatit në fshatin Larushk të Krujës kishte përplasje me Durim dhe Valter Bamin si dhe Marklen Hakën.
Ndër të tjera ajo theksoi se janë marrë në pyetje dhe persona të tjerë dhe se kunati i Bejtjan i cili mbeti viktimë në këtë atentat është vrarë gabimisht.
“Por faktet flasin për një përplasje të fortë mes Bamit dhe Bejtjes. Po kështu hetuesit kanë marrë dhe dëshminë e Marklen Hakës, i cili i ka mbijetuar dy atentateve. Dhe Haka ka pretenduar se ka qenë në banesën e tij dhe nuk ka lidhje me ngjarjen. Policia po kontrollon qelizat e telefonave të tij dhe po kryen hetime dhe në rrethin përqark tyre. Dyshimet janë se shënjestra ishte Gentjan Bejtja i cili ka zbritur nga makina pak minuta para atentatit ku u vra kunati i tij dhe u plagosën dy fëmijët e mitur.
Janë marrë në pyetje dhe lidhjet e tyre shoqërore dhe persona dëshmitarë të ngjarjes, siç është një kushëri i afërt i Bejtjas, i cili ka shquar tre ekzekutorë. Rezulton se kunati i Bejtjas, i cili u vra gabimisht nuk ka asnjë skedim për veprimtari të mëparshme kriminale. Prokuroria ende nuk e ka marrë dëshminë e Durim Bamit, pasi rezulton jashtë vendit. Durim Bami konsiderohet si një nga njerëzit më të rëndësishëm të botës së krimit”, raporton gazetarja.