Tiranë, 2 qershor 2014 – Ish-drejtori i filialit të CEZ-it në Laç u ekzekutua dje me 11 plumba kallashnikovi, teksa po nxirrte makinën nga parkimi në Tiranë.
Viktima Viktor Skeja, 47 vjeç, i kishte shpëtuar edhe një tjetër atentati në shtator të vitit të kaluar, por ngjarja kishte mbetur pa u zbuluar.Vrasja ndodhi dje rreth orës 14:30, në rrugën “Riza Cerova”, në Tiranë, pranë Shkollës së Kuqe. Skeja sapo kishte hipur në makinën e tij tip “Audi A4”, me targë AA 363 EM, që e kishte parkuar para portës së një banese përdhese dhe, në momentin që ka prerë timonin për të lëvizur nga vendi një tjetër makinë, ka ndaluar paralel me të, raporton “Panorama”.
Autorët, që sipas Policisë së Tiranës, ndodheshin brenda një automjeti tip “Golf 3”, me xhama të zinj, nuk kanë zbritur nga makina, por kanë ulur xhamat dhe kanë qëlluar në dy drejtime nga dritaret e pasagjerit. Fillimisht janë dëgjuar 4 të shtëna e më pas drejt Skejës janë derdhur edhe 7 plumba të tjerë, që e kanë lënë të vdekur në vend.
Nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, ekspertët dyshojnë se mund të jetë qëlluar me dy armë të ndryshme automatike, megjithatë versionin përfundimtar pritet ta japë Laboratori i Kriminalistikës. Në vendngjarje, në kohën që Policia ende mbante të rrethuar skenën e krimit dhe trupi i viktimës ndodhej ende në makinë, mbërritën të afërm të 47-vjeçarit.
Nipi i tij pati edhe një incident me forcat e Policisë, pasi tentonte të shkonte te makina ku ndodhej viktima, derisa një moment u iku nga duart dhe u afrua te vendi i ngjarjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





