Pas atentatit në mes të qytetit të Shkodrës, ku si pasojë mbetën 3 persona të plagosur, policia ka dhënë detajet e para rreth ngjarjes, si dhe bën me dije se është gjetur makina që dyshohet se është përdorur gjatë atentatit, si dhe arma e krimit.
Të plagosurit janë Dionis Lisi, 32 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe dyshohet të ketë qenë pikërisht ai shënjestra e këtij atentati. Nga të shtënat me armë, mbetën të plagosur edhe vajza me inicialet L. T. 25 vjeçe dhe Ernik. Prenudushi 59 vjeç, të cilët kanë qenë kalimtarë të rastit.
Nga informacionet paraprake, dyshohet se autori/ët mund të largohen në drejtim të Malit të Zi.
Njoftimi i policisë:
Më datë 15.07.2017, rreth orës 13;00, kemi marrë njoftim se ka të shtëna me armë, përballë teatrit “Migjeni”.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku dhe kanë konstatuar se janë plagosur me armë zjarri shtetasit:
D. L. 32 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe dyshohet të ketë qenë edhe objekti i këtij sulmi.
L. T. 25 vjeçe jashtë rrezikut për jetën,
E. P. 59 vjeç, jashtë rrezikut për jetën të cilët kanë qenë kalimtare të rastit.
Autori/ët janë larguar me shpejtësi me një automjet në drejtim të Shirokës.
Nga policia e Shkodrës është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit dhe automjeti i autorit/eve.
Janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po bëhet krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Po bashkëpunohet me Policinë Kufitare pasi dyshohet se autori/ët mund të largohen në drejtim të Malit të Zi.





