Masakra me 3 viktima në Fushë-Krujë ka nxjerrë në aksion repartet më të avancuara të Policisë së Shtetit, me FNSH dhe RENEA që janë angazhuar në gjetjen e 4 autorëve.
Mësohet se në terren ka zbritur edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Ai ndodhet në këto momente në Fushë Krujë, për të kryer një analizë me krerët e policisë së DVP Durrës e Komisariatit të Policisë Krujë, por edhe të Departamentit të Policisë Kriminale.
Mësohet se Nano ka kërkuar një analize të detajuar të fakteve, provave e rrethanave të ngjarjes, mbledhje të kamerave në një territor të gjerë.
Ai gjithashtu ka kërkuar vijimin e krehjes së zonës me dronë dhe forca speciale, përdorimin e kamerave termike që mundësojnë identifikimin e personave që mund të qarkullojnë gjatë natës pasi mund të jenë fshehur në zonën përreth, grumbullim informacioni në rrugë operative dhe shqyrtim të të gjitha pistave dhe autorëve të mundshëm.
Nano ka kërkuar që kjo ngjarje të zbardhet sa më parë dhe të rritet forca parandaluese, duke shtuar kontrollet e befasishme me shërbime të policisë kriminale për të gjithë kontigjentët kriminalë.
Ai ka vendosur theksin te shoqërimi i të gjithë atyre personave që mund të jenë të dyshuar dhe të punohet me profesionalizëm në bashkëpunim me Prokurorinë.
Në vijim është kërkuar nga strukturat e Policisë së Shtetit që të bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, të grumbullohet çdo informacion i mundshëm sado i vlefshëm qoftë, të analizohet, jo vetëm për këtë ngjarje por qëllimi është për të parandaluar në të ardhmen ngjarje kriminale.
Sa i përket viktimave të masakrës së sotme, policia sqaron se ishin me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe pjesëtarë të grupit kriminal të Ervis Martinaj.