Një ditë pas atentatit të dyfishtë në lagjen numër 14 në Shkozet, banorët janë të frikësuar. Ata thonë se të dy viktimat nuk kishin patur konflikte në lagje në dijeninë e tyre, e nuk njiheshin si persona konfliktualë, por të qetë e pa probleme.
Në vendin e ngjarjes edhe sot kanë qenë gjithë ditën inspektorë të krimeve për të mbledhur prova që do t’iu duhen për të zbardhur motivin e krimit.
Vrasja ka ndodhur pesë metra larg prej derës së servisit të makinave të Dorjan Shkozës, në anë të rrugës, aty ku edhe kanë mbetur si dëshmi gjurmët e plumbave të shtëna nga ekzekutorët e paidentifikuar.
Ditën e sotme disa shoferë kanë mbërritur para servisit duke tërhequr prej andej makinat të cilat i kishin lënë për t’i riparuar, pasi pronari u ekzekutua. Në lagje, gra e burra janë terrorizuar pasi kishte kohë që nuk kishin përjetuar ngjarje të tillë të rëndë në zonën e tyre.
Sipas tyre, 35-vjeçari Dorjan Shkoza ishte njeri që shikonte punën e tij, rrinte në servis ku riparonte makinat e nuk kishte konflikte, ndërsa 24-vjeçari Anxhelo Avdiu kishte qenë i papunë por nuk ishte ngatërruar me njeri në lagje.
Deri tani 40 persona janë shoqëruar në polici, por policia ende nuk e di kush ka qenë shënjestër e atentatit, për aq kohë sa asnjë prej të afërmve nuk ju ka dhënë indicie apo ndihmë mbi konflikte të mundshme apo kërcënime që mund të kenë patur dy viktimat e atentatit të mbrëmshëm.
K.H.





