40 persona janë shoqëruar deri më tani në polici, për t’u marrë në pyetje për atentatin e djeshëm në Shkozet, ku mbetën të vrarë dy të rinjtë Dorian Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia, 24 vjeç.
“DurrësLajm” mëson se janë familjarët e dy viktimave dhe shokë e dëshmimtare okularë, të cilët policia po i pyet rreth konflikteve të mundshme që kishin dy viktimat; mbi të kaluarën e tyre. Po ashtu po bëhen pyetje dhe rreth njerëzve me të cilët ata kanë bashkëpunuar dhe nëse kanë pasur kërcënime, në mënyrë që të hidhet dritë mbi motivin e vrasjes.
Deri më tani, nuk dihet ende se cila ka qenë shënjestra e atentatit apo kanë qenë që të dy viktimat.
Burimet nga grupi hetimor bënë me dije për “DurrësLajm” se dyshohet që njëri prej viktimave të jetë përfshirë në pazare dhe ngjarje kriminale, por deri tani nuk u janë dhënë të dhëna të mjaftueshme policisë që do t’i çonte drejt ekzekutorëve.





