Tiranë, 11 maj 2014 – Atentati me eksploziv i disa ditëve më parë ndaj arkitektes Entela Çano duket se do të ngelet pa autor. Kjo, pasi efektivët e policisë ende nuk kanë asnjë emër të dyshuar për ngjarjen e ndodhur pasditen e së enjtes në afërsi të Durrësit, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”.
Sipas kësaj gazete, arkitektja nuk dyshon tek asnjë person. 39-vjeçarja hedh dyshimet se autorët mund të kenë ngatërruar edhe targën e makinës.
“Nuk kam konflikte personale, as konflikte për shkak të punës. Nuk kam asnjë dyshim për autorët që kanë vënë eksplozivin në makinën time. Mendoj se autorët mund të kenë ngatërruar edhe targën e makinës dhe në vend që t´ia vinin ndonjë tjetri, ma kanë vënë mua”, është shprehur arkitektja Çano.
E pyetur për ndonjë konflikt të mundshëm për shkak të projekteve ku arkitektja apo zyra e saj mund të jenë të angazhuara, 39-vjeçarja shprehet kundër konflikteve të tilla dhe shpreh siguri kur thotë se nuk ka asnjë konflikt.
“Po e rithem sërish dhe mendoj se unë nuk kam konflikte dhe nuk dyshoj tek njeri. E vetmja gjë që më shkon nëpër mend është ngatërrimi i adresës”, – pohon arkitektja.
Ndërsa i rikthehet edhe njëherë asaj dite, kur rrezikoi të humbiste jetën, Çano tregon sesi iu shmang atentatit.
“Së pari jam shumë e lumtur që jam gjallë, se pas atij shpërthimi edhe mund të mos isha duke folur këtu me juve. Nuk e di çfarë ndodhi, ishte një mrekulli që jam gjallë. Unë pashë flakët në pjesën para makinës dhe dola jashtë. Pastaj u dëgjua shpërthimi. Policët më thanë, ‘shyqyr që shpëtove gjallë’”,- pohon arkitektja Çano.
Sipas grupit hetimor, 39-vjeçarja, sapo ka parë flakët në pjesën e përparme të makinës, ka dalë jashtë saj, duke menduar se bëhej fjalë për një defekt teknik të automjetit. Vetëm pak minuta më vonë është dëgjuar shpërthimi i eksplozivit. Mendohet se poshtë makinës, në anën e shoferit ishte vendosur rreth 70 gramë lëndë eksplozive.
Atentati u regjsitruar rreth orës 13:30 minuta të së enjtes, kur makina tip “Mitsubishi” me targa AA 109 JE u dogj nga flakët, si pasojë e një sasie eksplozivi të vendosur në kroskotin e makinës, brenda së cilës udhëtonte arkitektja Entela Çano. Ngjarja është shënuar në afërsi të mbikalimit të Sukthit, teksa 39-vjeçarja udhëtonte nga Durrësi në drejtim të kryeqytetit pas përfundimit të një takimi pune.
Pista kryesore ku po heton policia është ajo për shkak të detyrës së Çanos, e cila prej kohësh njihet si një arkitekte që, së fundmi, ishte e angazhuar edhe në projektet e fushës së ndërtimeve. Në polici janë shoqëruar edhe disa persona, të cilët mendohet se mund të kenë dijeni mbi motivet e ngjarjes, por ende nuk ka një autor të dyshuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





