Policia e Fierit po heton pistën e hakmarrjes për të zbardhur atentatin me eksploziv të mbrëmjes së të shtunës kur mbeti i plagosur dhe humbi të dyja këmbët teksa ecte me makinën e tij, në lagjen “Kryengritja”, Armando Sula.
Sipas “TV Klan”, hakmarrja lidhet me familjen e dajës së 35-vjeçarit që sapo kishte dalë nga burgu. Sula ka qenë i dyshuar për vrasjen e Ardian Mollës në vitin 2003, të cilin e akuzonte si autorin e vrasjes së dajës së tij, Astrit Braçes, një ish-oficeri policie që u ekzekutua në vitin 2001.
Zinxhiri i vrasjeve ka nisur prej vitit 1997, kur gjatë një operacioni të policisë së Fierit mbeti i vrarë Elton Brahimaj.
Në operacion ishte pjesëmarrës oficeri Astrit Braçe, të cilin familja Brahimaj e akuzonte si përgjegjës. Katër vite pas kësaj ngjarjeje, në vitin 2001, Astrit Braçe dhe djali i tij u vranë në një pritë.
I dyshuar ishte Ardian Molla, i afërm i Elton Brahimajt, i cili vritet në vitin 2003. Armando Sula ishte në rrethin e personave që u hetuan.
Policia dyshon se atentati ndaj tij është i lidhur me këto ngjarje. Sulo paraditen e të dielës është transferuar në spitalin e Traumës në kryeqytet për ndihmë më të specializuar mjekësore.





