Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka arrestuar 4 punonjës të policisë Shkodër lidhur me atentatin në Dobraç pasditen e 30 tetorit, ku humbën jetën katër persona, mes tyre dy qytetarë të pafajshëm.

Mësohet se arrestimi i tyre është bërë orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa ende pritet njoftimi zyrtar i AMP.

Kujtojmë se pak ditë më parë AMP ka kallëzuar në Prokurori disa prej efektivëve të Policisë së Shkodrës nën akuzën se shpërdoruan detyrën, pasi sipas AMP, nuk ndaluan personin e tretë që ndodhej në makinë me dy viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Ndërkohë Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencën, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Posçme (SPAK), për shkak se ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.

Po ashtu, u raportua se Policia ka kontrolluar dy klinika mjekësore private në Shkodër, me qëllim gjetjen e personit të tretë, që policia dyshon se ka qenë në makinën tip “Benz” me targa kroate. Policia i ka ushtruar këto kontrolle pas dyshimeve se në këto klinika është paraqitur një person i plagosur, i cili pasi ka marrë mjekim është larguar.

Qëllimi i kontrolleve nga policia ka qenë sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë për të provuar nëse personi i plagosur është paraqitur për mjekim ose jo në klinikat private, pas ngjarjes.

Gjithashtu, policia e shtetit për të provuar shkencërisht dhe prezencën në makinë të viktimave dhe personit të tretë të mundshëm të plagosur, ka dërguar për ekzaminim në laborator prova të marra në vendngjarje si fije floku, gjurmë gishti, profile biologjike, profile djerse dhe gjaku për të zbuluar gjurmë të ADN-ve të secilit person që ndodhej në makinë, me qëllim identifikim shkencërisht të personit të tretë në makinë.

ATENTATI

Në masakrën e Shkodrës, më 30 Tetor, humbën jetën 23-vjeçari Hamza Lici, 32-vjeçari Arlind Bushati, dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve, Flutura e Bashkim Basha.

Ngjarja rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt mjetit ku udhëtonin dy viktimat 23-vjeçari Lici (shofer) dhe 32-vjeçari Arlind Bushati (pasagjer).

Pasi mjeti ku udhëtonin dy të rinjtë u qëllua me breshëri plumbash nga atentatorët, devijoi nga rruga dhe u përplas me motorin ku udhëtonin çifti Basha.

Nga përplasja gruaja, Flutura Basha gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa bashkëshorti i saj, Bashkim Basha humbu jetën pas disa ditësh në intubim në spitalin e Shkodrës.

Mësohet se autorët e ngjarjes kanë realizuar me detaje atentatin në Dobraç me qëllim për të mos lënë asnjë gjurmë. Aq sa dyshohet se makina tip “Range Rover” është shkrumbuar fillimisht me acid dhe pastaj i është vënë flaka, me qëllim mos lënien e asnjë gjurme për hetuesit.